Klopp: I jashtëzakonshmi Guardiola, më i miri

  • 27 September 2019 - 09:40
Klopp: I jashtëzakonshmi Guardiola, më i miri

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, mund të jetë zgjedhur si trajneri më i mirë i vitit në botë nga FIFA, por ai e pranon se rivali i tij në Manchester City, Pep Guardiola, është trajneri më i mirë me të cilin është përballur.

Dy ndër trajnerët të vlerësuar si më të mirët në botën e futbollit janë përballur mes vete rregullisht gjatë kohës së fundit – si në Angli, ashtu edhe në skenën evropiane.

Kloppi kishte qenë ende në Borussia Dortmund kur Guardiola shkoi në Gjermani në vitin 2013, për ta marrë drejtimin e Bayern Munichut.

Dyshja pastaj u bënë rivalë edhe më të mëdhenj sërish në Angli, pasi që gjermani u emërua trajner në “Anfield” e spanjolli në “Etihad”.

Në sezonin 2018/19, Kloppi dhe Guardiola ishin kundër njëri-tjetrit në betejën për titullin e kampionit të Premierligës. Manchester City në fund u shpall kampion i Angli, mirëpo Liverpooli e kompensoi këtë zhgënjim duke e fituar titullin e Ligës së Kampionëve.

Suksesi në Evropë ishte i mjaftueshëm për trajnerin gjerman që të shpallet më i miri i vitit në ceremoninë e fundit të FIFA-s, të mbajtur në Milano, por ai e pranon se, për atë çmim, ai pati konkurrencë të madhe, nga Mauricio Pochettino dhe Guardiola.

“I respektoj që të dy shumë. Ajo që Pochettino e bëri vitin e kaluar ishte e jashtëzakonshme. Shumë herë kur ti s’e fiton një titull, njerëzit nuk të mbajnë mend. Mirëpo, ai ishte i jashtëzakonshëm. Ai e ka ndërtuar skuadrën e vet hap pas hapi, duke e mbajtur skuadrën bashkë”, ka thënë Klopp.

“Pep Guardiola… Çfarë mund të them? Ai ka fituar aq shumë tituj me mënyrën se si luan skuadra e tij. Ai është shumë i mrekullueshëm, e kam të lehtë ta zgjedh atë si trajnerin më të mirë kundër të cilit kam punuar. Ishte nder për mua të jem i nominuar përkrah tyre”. 

(Kosova Sot Online )