Roma e pezullon përjetësisht tifozin që bëri thirrje raciste ndaj mbrojtësit Jesus

  • 27 September 2019 - 10:31
Roma e pezullon përjetësisht tifozin që bëri thirrje raciste ndaj mbrojtësit Jesus

Roma e ka pezulluar përjetësisht nga ndeshjet e klubit një tifoz, i cili ia kishte dërguar një mesazh racist përmes rrjeteve sociale mbrojtësit brazilian Juan Jesus.

Klubi italian i publikoi, në llogarinë zyrtare në Twitter, disa fotografi të llogarisë së atij tifozi në rrjetin social Instagram dhe mesazhin që ai ia kishte dërguar Juan Jesusit.

Ata premtuam se do t’ia ndalojnë personit në fjalë t’i përcjellë ndeshjet e Romës në të ardhmen, përderisa gjithashtu e konfirmuan se ata e kanë raportuar tifozin në polici dhe te përgjegjësit e Instagramit.

“Pronari i llogarisë së mëposhtme të Instagramit i dërgoi mesazhe të shpifura raciste Juan Jesusit përmes mesazheve të Instagramit sot (e martë)”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga klubi italian.

“Ne e kemi raportuar këtë llogari në policinë italiane. Ne e kemi raportuar llogarinë edhe në Instagram”.

“Personi përgjegjës do të pezullohet përjetësisht nga ndeshjet e Romës”.

Kjo deklaratë e klubit u prit mrië në rrjete sociale nga tifozët, veçanërisht vendimi për të mos e fshehur llogarinë e tifozit në fjalë.

Ndërkohë, autoritetet italiane janë duke i bërë gati disa rregulla të reja, të cilat i detyrojnë klubet ta luftojnë me më efektivitet racizmin dhe sjelljen ofenduese të tifozëve të tyre në tribunat e stadiumeve.

Klubet italiane janë ankuar se për momentin ata po janë të pafuqishëm kundër tifozëve ultras, të cilët i kërcënojnë se do të bëjnë thirrje raciste në stadium nëse nuk marrin bileta falas apo përfitime të tjera.

Thirrjet raciste nëpër stadiume bëjnë që klubet të gjobiten nga Federata e Futbollit përkatëse në atë vend, ndërsa tifozët mbeten zakonisht pa asnjë lloj ndëshkimi.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, ka sqaruar se rregullat e reja do ta largonin përgjegjësinë nga klubet nëse ata bashkëpunojmë me sistemin e drejtësisë në sport për t’i hetuar tifozët dhe për t’i parandaluar sjelljet ofenduese në tribuna.

Këtu përfshihet edhe instalimi i një sistemi audio nëpër stadiume, në mënyrë që të identifikohen më qartësisht thirrjet raciste, pasi që një sistem i tillë do të ishte më i saktë sesa rojet e sigurimit apo kamerat.

Gjithashtu pritet të caktohet një protokoll se si të reagojnë ndaj incidenteve raciste, përderisa, për momentin, preferohet të vendoset rendi publik e të vazhdohet ndeshja në vend se të ndalet ajo. 

(Kosova Sot Online)