Sezoni i ri Superligës së Kosovës fillon sonte me derbi

  • 27 September 2019 - 10:33
Sezoni i ri Superligës së Kosovës fillon sonte me derbi

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll do të sjellë derbi qysh në xhiron e parë. Këtë sezon, në mesin e nëntë skuadrave që garojnë për t’u shpallur kampione të Kosovës është edhe Peja, rikthimi i së cilës e bën më interesante garën.

Sezoni i ri i Superligës do të nisë sonte me ndeshjen ndërmjet Bashkimit dhe Lipjanit, që zhvillohet në Gjakovë nga ora 19:00. Kjo përballje zhvillohet në Gjakovë për shkak se palestra në Prizren është e zënë, derisa të shtunën do të përballen Ylli me Feronikelin.

Të dielën nga ora 17:00 takohen Ponte Prizreni me Pejën, që është rikthyer në Superligë këtë sezon dhe pritet ta bëjë edhe më interesante garën.

Java e parë mbyllet me super derbin ndërmjet Rahovecit dhe Sigal Prishtinës. Ky takim zhvillohet të dielën nga ora 19:00 në “Mizahir Isma”. Këto dy skuadra u takuan edhe në Superkupë, derisa edicionin e kaluar ishin ndeshur edhe në finale të “Play-off”-it dhe Kupës, ku triumfuan prishtinasit.

Në anën tjetër, Trepça do të pushojë në xhiron e parë. 

Në këtë edicion do të zhvillohen 36 xhiro gjithsej, derisa dy skuadrat e fundit bien nga elita, kurse skuadra e shtatë e renditjes në Superligë do të takohet me finalistin e Ligës së Parë, për një vend në elitë për edicionin e ardhshëm.  

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, e ka sqaruar detajet sezonit të ri të Superligës së Kosovës në një letër të publikuar në faqen zyrtare të FBK-së, të cilën mund ta lexoni në vijim:

Sot fillon edicioni i ri, 2019-2020 në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas organizimit të suksesshëm të Superkupës, presim që edicioni i ri të vazhdojë në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë tifozë në tribuna dhe shumë lojëra të bukura në parket.

Këtë edicion është rikthyer Peja, që i ka munguar shumë basketbollit të Kosovës dhe besoj se, Superliga do të jetë atraktive dhe me shumë përballje interesante. 

Gjashtë skuadra do të luajnë në “Play-off”, vendi i shtatë në “Play-Out” dhe dy vendet e fundit do të largohen nga elita. Kjo pritet të bëjë shumë interesante edicionin e ri, ku do të garohet deri në fund për çdo pozitë. Rikthimi i Pejës, por edhe përforcimi i skuadrave me lojtarë vendorë dhe të huaj, bënë që edicioni i ri të jetë shumë atraktiv, kurse adhuruesit e basketbollit çdo ndeshje mund ta përcjellin edhe në platformën Art Motion, si dhe me statistika ‘live’ në faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kurse adhuruesit e basketbollit do të informohen për çdo risi në faqen zyrtare, si dhe në rrjetet sociale të FBK-së.

Gjithashtu për herë të parë do të jetë edhe Liga e Parë e Femrave, në mënyrë që garat të jenë më interesante dhe të masivizohet më shumë basketbolli në konkurrencën e femrave.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i kushton shumë rëndësi edhe gjeneratave të reja, ku do të vazhdon përkrahja për ligat nga U12 deri në U18, në të dyja konkurrencat. 

FBK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për edicionin e ri në të gjitha ligat dhe urojmë që të jetë edicion i suksesshëm për basketbollin e Kosovës. 

Ashtu siç kemi qenë gjithmonë afër klubeve, ashtu do të jemi edhe në edicionin e ri dhe përkrahja maksimale nuk do të ndalet asnjëherë. 

Për ne, shumë të rëndësishme janë edhe garat ndërkombëtare, andaj u urojmë sukses të gjitha klubeve pjesëmarrëse dhe shpresojmë se do të kenë rezultate sa më pozitive në arenën evropiane. Përveç klubeve në konkurrencën e meshkujve, kësaj radhe edhe Prishtina te femrat do t’i rikthejë emocionet e garave evropiane me pjesëmarrjen e saj në grupet e FIBA Europe Cup Ëomen.

Djemve dhe vashave u urojmë shumë suksese.

Suksese të gjitha klubeve në edicionin e ri.

Arben Fetahu

Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)