Shtohen problemet për Unitedin kundër Arsenalit: Pogba i dyshimtë, Martial i lënduar

  • 27 September 2019 - 11:32
Shtohen problemet për Unitedin kundër Arsenalit: Pogba i dyshimtë, Martial i lënduar

Trajnerit Ole Gunnar Solskjaer i janë shtuar problemet për ndeshjen e radhës, kundër Arsenalit, pasi që ai e konfirmoi se Anthony Martial s’do të jetë në dispozicion, ndërsa Paul Pogba është ende në dyshim.

Paul Pogba mund të mos ketë mundësi të luajë në ndeshjen e së hënës kundër Arsenalit, në kuadër të Premierligës, pasi ai e ka lënduar sërish kyçin e këmbës së tij.

Mesfushori i Manchester Unitedi nuk gjuajti nga penalltia në ndeshjen e së mërkurës në Old Trafford, ku përballja me Rochdale në Carabao Cup u vendos përmes penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultat 1:1.

Kur u pyet se pse ndodhi kjo gjë, Solskjaer tha: “Situata është se ai e përfundoi ndeshjen, luajti në mënyrë fantastike për 90 minuta. Mirëpo, ai e pësoi një goditje në kyç të këmbës, dhe tani ajo pjesë i është ënjtur shumë. Tani, ai është duke tentuar të jetë gati për të hënën. A është në dyshim? Po”.

Megjithatë, trajneri, i cili gjatë kohës së fundit është nën presion të madh për shkak të rezultateve të fundit të skuadrës së tij, po përballet edhe me mungesa të tjera, më e madhja ajo e Anthony Martialit.

“Nuk mendoj se do ta shohim Anthony Martial para së të përfundojnë edhe ndeshjet e radhës të ekipeve kombëtare. Luke Shaw është duke u përmirësuar, kështu që shpresoj se do ta shohim para se të fillojnë ndeshjet e Kombëtareve”.

“Edhe Phil Jones do të jetë jashtë skuadrës deri pas ndeshjeve të Kombëtareve. Këto raste duhet t’i rishikosh pas çdo ndeshjeje, mirëpo për momentin kështu është situata”.

Pasi të përballet me Arsenalin të hënën në kuadër të Premierligës, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer do ta vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Evropës me ndeshjen kundër AZ Alkmaarin. 

(Kosova Sot Online)