Atletico – Real, formacionet e mundshme

  • 28 September 2019 - 10:22
Atletico – Real, formacionet e mundshme

Për të dytin sezon radhazi derbi i zjarrtë i Madridit vjen pikërisht në ditët e fundit të muajit shtator, me ndryshimin e vetëm se këtë herë dueli ndërmjet dy klubeve më të lavdishëm të kryeqytetit spanjoll do të mbahet në stadiumin “Wanda Metropolitano”.

Edicionin e kaluar pas ndeshjes së Talinit, ku falë suksesit 4-2 në kohën shtesë Atletico e udhëhequr nga Diego Simeone mposhti Realin e drejtuar nga Julen Lopetegui, duke koleksionuar për herë të tretë Superkupën e Europës, këto dy ekipe u përballën më datë 29 shtator në Santiago Bernabeu, ku 78.000 të pranishmit i panë dy skuadrat e famshme madrilene të barazojnë pa gola, ndërsa këtë radhë takimi ndërmjet tyre do të zhvillohet një ditë më herët dhe natyrisht përbën edhe duelin më të fortë të javës së shtatë në kampionatin spanjoll.

Skuadrat do të takohen sonte  në “Wanda Metropolitano” me disa ndryshime.

Joao Felix do të jetë 7-shi i ri i Atleticos pas largimit të Antoine Griezmann, ndërsa në anën tjetër, një tjetër 7-sh do të bartë fanellën e Realit që pas largimit të Cristiano Ronaldos, ai është Eden Hazard.

Për Atleticon është në dyshim Lemar sepse vetëm sa është kthyer nga lëndimi, ndërsa në skuadrën e Zinedine Zidane ka paqartësi nëse do të luajnë Luka Modric apo Isco Alarcon, që të dy vetëm pak ditë më parë janë rikthyer nga lëndimet. Në dyshim është edhe Marcelo, është stërvitur vetëm njëherë me ekipin.

Do të mungojnë për këtë ndeshje Mendy e Asensio.

(Kosova Sot Online)