Neymari ia siguron sërish fitoren PSG-së

  • 28 September 2019 - 19:26
Neymari ia siguron sërish fitoren PSG-së

Përkundër që ende s’e ka fituar dashurinë e tifozëve të Paris Saint-Germainit, Neymari e ka dëshmuar sërish se është njëri ndër të mirët në botë, duke e shënuar golin e fitoren në ndeshjen kundër Bordeaux.

Paris Saint-Germaini arriti të sigurojë fitore me rezultat 1:0 në ndeshjen e zhvilluar sot kundër Bordeaux në stadiumin “Matmut Atlantique”, në kuadër të xhiros së tetë të sezonit të ri të Ligue 1.

Skuadra e Thomas Tuchel e dominoi ndeshjen kundër Bordeaux, duke i krijuar pesë raste të mira dhe duke i bërë gjithsej 21 goditje drejt portës. Megjithatë, ata e patën të vështirë ta zhbllokojnë rezultatin e ndeshjes.

Këtë gjë arriti ta bëjë pikërisht Neymari, me golin e tij, të asistuar nga Kylian Mbappe, në minutën e 70-të të ndeshjes. Kjo është hera e tretë që braziliani, i cili gjatë verës e kishte kërkuar largimin nga skuadra, po ia fiton PSG-së një ndeshje në Ligue 1.

Me këtë fitore, tani PSG-ja renditet e para në tabelën e elitës së futbollit francez, me 18 pikë të siguruara nga tetë ndeshjet e para (gjashtë fitore, asnjë barazim dhe dy humbje).

Tani, Thomas Tuchel dhe skuadra e tij do të bëhen gati për ndeshjen e mesjavës, në kuadër të xhiros së dytë të Grupit A të Ligës së Kampionëve, kundër Galatasarayt.

(Kosova Sot Online)