Rashica dhe skuadra e tij e ndalin Dortmundin në Bundesligë

  • 28 September 2019 - 20:31
Rashica dhe skuadra e tij e ndalin Dortmundin në Bundesligë

Në ndeshjen e tij të parë që kur ishte lënduar para më shumë se një muaji, Milot Rashica i ndihmoi Werder Bremenit ta ndalë Borussia Dortmundin me barazim 2:2, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e gjashtë të Bundesligës.

Borussia Dortmundi kishte shpresuar për më shumë sesa një barazim në ndeshjen e sotshme kundër Bremenit në stadiumin e vet, veçanërisht pasi që e dominoi ndeshjen me posedim të topit dhe numër të rasteve të krijuara.

Megjithatë, vendasit mbetën të habitur qysh në minutën e shtatë të ndeshjes, kur ylli kosovar i Bremenit, Milot Rashica, e kaloi në epërsi skuadrën e tij përmes një supergoli.

Por, festa e tifozëve të Bremenit nuk zgjati shumë, pasi që Dortmundi iu përgjigj me një gol vetëm dy minuta më vonë, kur Mario Gotze e barazoi rezultatin. Pastaj, pak minuta para se të përfundonte pjesa e parë, Dortmundi e përmbysi rezultatin e ndeshjes përmes Marco Reusit.

Ashtu siç e kishte nisur pjesën e parë, Bremeni e nisi edhe atë të dytën, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 55-të të ndeshjes, përmes Marco Friedi.

Pasi po e luante ndeshjen e tij të parë që kur u lëndua më 17 gusht, Rashica u zëvendësua në minutën e 73-të të ndeshjes, kur trajneri Florian Kohdelt vendosi ta inkuadrojë në lojë Benjamin Gollerin.

Dy pikët e humbura në këtë ndeshje bëjnë që Dortmundi të radhitet i shtati në tabelën e Bundesligës, me 11 pikë të fituara, ndërsa Bremeni në pozitën e dhjetë, me shtatë pikë të fituara. 

(Kosova Sot Online)