City mposht Evertonin, vazhdon ta ndjekë Liverpoolin nga pas

  • 28 September 2019 - 20:33
City mposht Evertonin, vazhdon ta ndjekë Liverpoolin nga pas

Manchester City siguroi fitore me rezultat 3:1 në ndeshjen kundër Evertonit, të zhvilluar në stadiumin Goodison Park, në kuadër të xhiros së shtatë të sezonit të ri të Premierligës.

Përkundër që trajneri Pep Guardiola i pushoi disa futbollistë për këtë ndeshje, skuadra e tij arriti t’i marrë tre pikët e nevojshme, për të vazhduar duke e ndjekur Liverpoolin nga pas në tabelën e Premierligës.

Fati i keq për skuadrën e Evertonit u shfaq qysh në minutën e shatë, kur Theo Walcott mbeti i lënduar dhe u detyrua të zëvendësohet nga Alex Iwobi.  

Pastaj, në minutën e 24-të të ndeshjes, Evertoni e mori goditjen e radhës, kur Gabriel Jesus u tregua i saktë para portës së Jordan Pickford.

Megjithatë, Evertoni e bëri të qartë se nuk do ta lejojë kampionin në fuqi të Anglisë ta marrë këtë fitore lehtësisht, duke e barazuar rezultatin e ndeshjes në minutën e 33-të, përmes golit të Dominic Calvert-Leëinit.

Por, Manchester City e dëshmoi pse është kampion i Anglisë në pjesën e dytë, kur arriti ta kthejë sërish epërsinë, përmes golave të Riyad Mahrezit (71’) dhe Raheem Sterlingut (84’).

Me këto tri pikë të fituara, Manchester City tani kthehet në pozitën e dytë në tabelën e Premierligës, me 16 pikë të fituara nga shtatë ndeshjet e para (pesë fitore, një barazim, një humbje) – pesë pikë prapa Liverpoolit. 

(Kosova Sot Online)