Zidane: Na mungoi kreativiteti, por e merituam fitoren ndaj Atleticos

  • 29 September 2019 - 08:29
Zidane: Na mungoi kreativiteti, por e merituam fitoren ndaj Atleticos

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka këmbëngulur se skuadra e tij e meritoi të fitonte derbin kundër Atletico Madridit, megjithëse e pranoi se asaj i mungoi kreativiteti në barazimin pa gola në Wanda Metropolitano.

Derisa Eden Hazard u mbulua mirë dhe nuk pati kurrfarë ndikimi në lojë, Jan Oblak ishte mbresëlënës duke e shpëtuar Atleticon nga humbja me disa pritje të jashtëzakonshme të dielën mbrëma.

“Jo vetëm intensiteti, por edhe forca jonë është e rëndësishme. Sonte pamë një Madrid të fortë sepse nuk e lejuam kundërshtarin të krijojë raste”, tha Zidane pas ndeshjes.

“Na mungoi kreativiteti por ne jemi të lumtur me lojën tonë”, shtoi ai.

Hazard ende nuk e ka gjetur formën e tij më të mirë në Spanjë, por Zidane beson se belgu është në rrugë të mirë për ta bërë.

“Atij po i mungojnë pak gjëra (për të ardhur në formë). Duhet t’i qëndrojmë pranë. Ai ka bërë punë të mirë, por nuk kemi krijuar shumë raste”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)