Roma “i falet” Dzekos në Lecce, Lazio bind dhe fiton me goleadë

  • 29 September 2019 - 17:54
Roma “i falet” Dzekos në Lecce, Lazio bind dhe fiton me goleadë

Lazio u rikthye te fitorja, pasi arriti të mposhtë Genoan me rezultatin e thellë 4-0, në një sfidë që pati shumë pak histori, pasi bardhekaltrit arritën të zgjidhin shpejt situatat, duke e bërë gjithçka më të lehtë sesa dukej në letër.

Ishte serbi Milinkoviç-Saviç, që shënoi në minutën e 7’, duke i hapur udhë suksesit të lacialëve, ndërsa Genoa rezistoi dhe tentoi barazimin, por në dy raste gjeti përballë një Thomas Strakosha në formë mjaft të mirë, që reagoi në mënyrën e duhur, duke mbrojtur kuadratin e portës së të tijve.

Në minutën e 40’ ishte mbrojtësi Radu që dyfishoi shifrat, ndërsa në pjesën e dytë ishte radha e sulmuesve Caicedo dhe Immobile, që të gjenin rrugën e rrjetës dhe të vulosnin suksesin e Lazios.

Fitore minimale 0-1, por me mjaft vlera, mori edhe skuadra tjetër e kryeqytetit, Roma, që triumfoi në transfertën puljeze ndaj Lecces së rikthyer vetëm këtë sezon mes ekipeve të të mira të Italisë.

Edin Dzeko ishte heroi i verdhekuqve sot, pasi shënoi me kokë në minutën e 56’, i shërbyer nga afrimi i verës, fantazisti Mkhitaryan, ndërsa pak minuta më vonë ishte Kolarov që shpërdoroi një 11-metërsh.

Fitore minimale 1-0, por me mjaft vlera, regjistroi sot edhe Udinese në shtëpi, ku priti Bolognën e Mihajloviç, në një ndeshje që u vendos nga një gol i sulmuesit Stefano Okaka, në minutën e 29’ të pjesës së parë.

(Kosova Sot Online)