Mourinho: “Humbja nga Barcelona, më e mira në jetën time”

  • 30 September 2019 - 12:22
Mourinho: “Humbja nga Barcelona, më e mira në jetën time”

Për një si ai është e vështirë të qëndrojë gjatë larg fushave të futbollit.

Jose Mourinho po bën thuajse një vit që është pa një skuadër.

Trajneri portugez është ende në kërkim të një klubi që pas largimit të tij nga Manchester United.

Në një intervistë për emisionin “Tiki Taka” në Itali, Special One ka kujtuar kohët që ka kaluar te Interi por në të njëjtën kohë ka zbuluar se ardhmja e tij nuk do të jetë në Itali.

Ai ka folur edhe për gjysmëfinalen e Champions League kundër Barcelonës, ku me një lojtar më pak në Camp Nou për 90 minuta, arriti të mbrojë rezultatin dhe të humbasë vetëm 1-0, për t’u kualifikuar në finale fal fitores 3-1 në “Giuseppe Meazza”.

“Më kujtohen të gjitha momentet kyçe për fitimin e kampionatit, pastaj ajo përmbysje fantastike në Kiev që na shtroi rrugën drejt triumfit në Champions”, tha Mourinho.

“Humbja nga Barcelona (1-0) ka qenë humbja më e mirë në jetën time. Dy finale brenda një jave, dukej si një film me përfundim të mirë, histori që ka qenë fantastike për mua”.

(Kosova Sot Online)