Armend Dallku i sjell Prishtinës fitore, gola, lojë të bukur dhe shpresë për titull

  • 30 September 2019 - 12:29
Armend Dallku i sjell Prishtinës fitore, gola, lojë të bukur dhe shpresë për titull

Tri fitore për nëntë ditë si trajner i Prihtinës. Shtatë gola të shënuara dhe vetëm një i pësuar. Armend Dallku, shpresa e Prishtinës për titullin e kampionit që u mungon prishtinasve qe gati shtatë vjet!

Armend Dallku konsiderohej shtylla kryesore e Prishtinës para se të pensionohej nga futbolli aktiv. Mirëpo, ish futbollisti i Kombëtares Shqiptare është bërë shtyllë e fortë e Prishtinës edhe pas pensionimit.

Vetëm pak kohë pasi u pensionua nga futbolli, Dallkut i është besuar posti i trajnerit në klubin bardh e kaltër, i cili më në fund duket të jetë rehatuar sa i përket një trajneri që i sjell fitore, gola dhe lojë të bukur.

Të gjitha këto Prishtina po i shijon me Dallkun, i cili brenda nëntë ditëve si trajner i Prishtinës ka arritur t’i shënojë tri fitore në po aq paraqitje.

Dallku debutoi me fitore në derbin ndaj Gjilanit, të fituar 2:1. Pastaj, Prishtina e tij e mposhti Dukagjinin me rezultat 2:0, ndërsa të dielën bardhekaltrit fituan në Vushtrri me rezultat 3:0.

Këto rezultate e kanë qetësuar edhe kryesinë e klubit, e cila pas dy vjetësh shkarkoi Mirel Josën, me të cilin nuk e kishte fituar titullin e kampionit, e po ashtu nuk e kishte nisur mirë as kampionatin e ri.

Në vend të Josës Prishtina e angazhoi Bylbyl Sokolin, me të cilin u nda vetëm pas pak ditësh. Kur pritej ardhja e ndonjë emri të njohur në stolin bardh e kaltër, klubi befasoi duke e angazhuar Dallkun, me të cilin në këtë javë do ta kërkojë fitoren e katërt rresht në përballje me Drenicën. 

(Kosova Sot Online)