S’ka fitues në derbin e javës së shtatë në Premier Ligë

  • 30 September 2019 - 23:02
S’ka fitues në derbin e javës së shtatë në Premier Ligë

Manchester United dhe Arsenali i kanë ndarë pikët në Old Trafford sonte duke barazuar me rezultat të barabartë 1-1. Ky ishte edhe rezultati i merituar për këtë ndeshje pasi që asnjëra nga skuadrat nuk bëri shumë për ta fituar ndeshjen

Në një mot me shi të dendur dhe me një ndeshje që lente shumë për të dëshiruar, Manchester United dhe Arsenal kanë barazuar sonte në Old Trafford.

Një gol në pjesën e parë dhe një në të dytën kanë vendosur fatin e derbit të javës së shtatë të Premier Ligës në Angli.

United e filloi më mirë këtë ndeshje dhe patën posedimin por pas minutës së 15 ishte Arsenali që patën dy mundësi të mira për të shënuar gol.

Fillimisht ishte Saka që pati një goditje të mirë por që De Gea intervenoi.

Pak para se të shkohet në pushime të pjesës së parë, Scott McTominay shënon një gol të bukur pas një kundërsulmi të djajve të kuq duke kaluar në epërsi Manchesterin.

Në pjesën e dytë Arsenali filloi më mirë por goli nuk erdhi deri në minutën e 57-të.

Në fakt fillimisht goli u anulua për shkak se u mendua që Aubameyang ishte në pozitë jashtëloje por ishte VAR ai që vërtetoi që sulmuesi i Arsenalit nuk ishte në një pozitë të këtillë.

Pas barazimit Manchester pati më shumë nga ndeshja e tyre dhe lehtë kanë mundur që të kalojnë në epërsi megjithatë Arsenali arriti të mbahet.

Rasti më i mirë për të kaluar në epërsi ishte në minutën e 90-të nga United, por Leno bëri një pritje fenomenale për ta shpëtuar Arsenalin nga humbja.

Pas xhiros së shtatë, Arsenali vazhdon të jetë në vendin e katër me 12 pikë kurse Manchester United në vendin e 10 me nëntë pikë.

Në vikend Arsenali e pret Bournemouth në Emirates Stadium kurse Manchester United luan si mysafirë i Newcastle United.

(Kosova Sot Online)