Manchester Unitedi po e përjeton fillimin më të keq të sezonit në Premierligë

  • 01 October 2019 - 08:47
Manchester Unitedi po e përjeton fillimin më të keq të sezonit në Premierligë

Manchester Unitedi e ka bërë fillimin më të keq të sezonit në Premierligë në histori të klubit, pas barazimit 1:1 me Arsenalit në hënën mbrëma në Old Trafford.

Scott McTominay e kaloi skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer në epërsi me një gol të mrekullueshëm në përfundim të pjesës së parë, por goli i Pierre Emerick-Aubameyang në pjesën e dytë ia mohoi fitoren “Djajve të kuq”.

Përndryshe, derbi i mbrëmshëm ishte shumë i dobët, me mungesë të madhe të cilësisë nga të dy palët në një natë ku shiu i pareshtur ndikoi në nivelin e lojës, po ashtu.

Pas shtatë ndeshjeve në sezonin 2019/20, skuadra e Solskjaer i ka fituar vetëm dy sosh, duke i grumbulluar nëntë pikë.

Unitedi renditet në pozitën e 10-të në Premierligë, në pjesën e sipërme të renditjes vetëm falë goldallimit, pasi ka mbledhur pikë të barabarta me Burnley.

Kjo nënkupton se ky është fillimi më i keq i sezonit për Unitedin në epokën e Premierligës.

Fillimin më të keq të sezonit në ligën elitare angleze, Unitedi e kishte përjetuar më edicionin 1989/90, kur kishte mbledhur vetëm shtatë pikë në shtatë ndeshje.

(Kosova Sot Online )