Shevçenko në Milano, rikthehet në ‘San Siro’

  • 01 October 2019 - 13:41
Shevçenko në Milano, rikthehet në ‘San Siro’

Andrej Shevçenko ka mbetur gjatë në mendjen e klubit të Milanit dhe tifozëve të saj, teksa i ka dhuruar kuqezinjve gëzime të panumërta.

Tashmë, fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2004 ka marrë pozicionin e trajnerit, ndërsa drejton ekipin Kombëtar të Ukrainës, vendlindjes së tij.

Mirëpo, së fundmi zërat për një interesim të drejtuesve të Milanit dhe për më tepër shokut të tij, Maldini, për ta vënë në krye të skuadrës u shtuan gjithnjë e më shumë. 

Rezultatet e dobëta nën drejtimin e Giampaolos, kanë detyruar drejtuesit të mendojnë alternativat e stolit.

Shevçenko është i preferuari, megjithatë ukrainasi është shprehur se momentalisht mendon vetëm për Kombëtaren.

Në mbrëmjen e sotme, Shevçenko do të rikthehet në stadiumin “San Siro”, por këtë herë nuk do të ketë lidhje me Milanin.

43-vjeçari do të vëzhgojë sfidën mes Atalantës dhe Shakhtar Donjesk.

Shevçenko do të ndjekë nga afër lojtarët ukrainas për të parë edhe formën e tyre në prag të përballjeve të tetorit.

Megjithatë, një bisedë me Maldinin është thuajse e pamundur të shmanget, por nëse do të ketë diçka konkrete rreth Milanit apo jo mbetet për t’u parë.

(Kosova Sot Online)