18-vjeçarit i shkëputet kontrata, pasi ia vodhi bashkëlojtarit orën 62 mijë funtëshe

  • 01 October 2019 - 15:45
18-vjeçarit i shkëputet kontrata, pasi ia vodhi bashkëlojtarit orën 62 mijë funtëshe

18-vjeçarit Lamine Diaby-Fadiga i është shkëputur kontrata me klubin francez Nice, pasi që futbollisti e pranoi se ai vodhi Kasper Dolbergut orën në vlerë prej 62 mijë funtesh.

Ish-sulmuesi i Ajaxit, Kasper Dolberg, u transferua në Nice këtë verë për 18 milionë funte. Jo shumë kohë më vonë, ai e vërejti që po i mungonte ora e tij e dorës, të cilën e raportoi në polici më 16 shtator.

Diaby, i cili kishte qenë me klubin francez që kur kishte qenë vetëm 13-vjeçar, ishte njëri ndër të dyshuarit dhe, sipas AFP-së, futbollisti e pranoi se ai e kishte bërë vjedhjen, pas një hetimi të policisë.

18-vjeçari i kërkoi falje bashkëlojtarëve të tij dhe trajnerit Patrick Vieira, ndërsa edhe i premtoi Dolbergut se do t’ia rimbursojë vlerën e orës në fjalë.

Megjithatë, përkundër që ai sapo e kishte nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me klubin, L’Equipe raporton se Nice ndiente se nuk kishte opsion tjetër përveç se t’ia shkëpusë kontratën atij.

Sulmuesi, i cili konsiderohet si njëri ndër talentet më të mëdha që ka dalë nga akademia e Nice gjatë kohës së fundit, nuk pritet të jetë pa klub për një kohë të gjatë, pasi që për të raportohet se është gati ta nënshkruajë një kontratë me klubin e Ligue 2, Paris FC. 

(Kosova Sot Online)