Përralla e dy Hazardëve: Ai në Chelsea dhe ai në Madrid

  • 01 October 2019 - 16:19
Përralla e dy Hazardëve: Ai në Chelsea dhe ai në Madrid

Dallimi mes Eden Hazardit në Chelsea dhe në Real Madridit shihet qartësisht nëse krahasohen statistikat e yllit belg gjatë sezonit të kaluar dhe fillimit të këtij sezoni të ri.

Eden Hazardi e pranoi në një konferencë për shtyp atë që e tregojnë edhe statistikat: ai nuk është në formën e tij më të mirë, kontributi i tij deri më tani në Real Madrid ka qenë i limituar dhe se shumë më shumë pritet nga ai, shkruan AS.

“Është e vërtetë që njerëzit preson shumë nga unë dhe edhe unë pres shumë nga vetja. Unë e di se mund të përmirësohem, unë jam kritiku më i madh i vetes, por ne do të përmirësohemi ditë pas dite… Siç kam thënë në prezantimin tim, unë nuk jam një Galactico ende”, tha Hazard.

Hazardi e pësoi një lëndim muskulor që ia vonoi debutimin e tij në këtë sezon të ri të Real Madridin. Ai mungoi në tri ndeshjet e para të La ligës, u rishfaq për ndeshjen kundër Levantes për 30 minuta jombresëlënës, e kompletoi ndeshjen kundër Sevillas dhe u zëvendësua në derbin e Madridit pas 77 minutave lojë. Në Ligën e Kampionëve, ai luajti në disfatën 3:0 kundër PSG-së në Paris, një ndeshje ku ndikimi i belgut ishte minimal, ashtu siç ka qenë edhe në ligë deri më tash.

Krahasimi mes statistikave të këtij sezoni dhe atij të kaluar të Hazardit e shfaq dallimin e madh mes lojtarit që ishte ai në Chelsea dhe që është tani në Madrid. Në katër ndeshjet që i ka luajtur për Los Blancos (266 minuta), ai s’e ka shënuar asnjë gol dhe asnjë asist, i ka bërë katër goditje, vetëm dy herë brenda kuadratit të portës dhe ka qenë 82 për qind i saktë në pasime. Statistika e tij më mbresëlënëse është sa i përket driblimeve: 12 driblime të tentuara (tetë me sukses) në katër ndeshje. Krahasojeni këtë me sezonin e kaluar me Chelsean, kur Hazardi i shënoi pesë gola dhe i bëri dy asiste në pesë ndeshjet e para të sezonit.

Sezoni më i mirë i Hazardit në Chelsea

Hazardi erdhi në Madrid pas sezonit të tij më të mirë me Chelsean, te të cilët kontribuoi me 21 gola dhe 17 asiste në 51 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.

Belgu ia dha një lamtumirë pothuajse të përsosur ish-klubit të tij në ndeshjen e tij të fundit me londinezët, duke ua fituar trofeun e Ligës së Evropës me dy golat e tij dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes. Paraqitjet e tij në Ligën e Evropës kishin qenë aq mbresëlënëse saqë ai u shpall lojtari më i mirë i turneut.

Në sezonin e kaluar të Premierligës, ai luajti në 32 ndeshje (2.926 minuta), i shënoi 16 gola, i bëri 15 asiste, i bëri 2.5 goditje mesatarisht në ndeshje, ishte 84 për qind i saktë mesatarisht në pasime, i bëri 3.7 driblime për ndeshje dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes 14 herë.

Në Ligën e Evropës, ai luajti në katër ndeshje, i shënoi dy gola në finale, i bëri dy asiste, ishte 87 për qind i saktë në pasime, arriti t’i bëjë 4.5 driblime për ndeshje dhe dy herë u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes. 


(Kosova Sot Online)