Treshja e mesfushës së Real Madridit: Casemiro dhe Kroosi po e presin Modricin

  • 01 October 2019 - 17:37
Treshja e mesfushës së Real Madridit: Casemiro dhe Kroosi po e presin Modricin

Treshja e Casemiros, Toni Kroosit dhe Luka Modricit ka qenë zgjedhja e trajnerit Zinedine Zidane për repartin e mesfushës gjatë kohës së tij si trajner i Real Madridit.

Casemiro e ka nisur sezonin e ri në formë mbresëlënëse, në qendër të treshes së mesfushës, duke u dëshmuar të jetë njëri ndër futbollistët më të mirë të klubit.

Pasi e kaloi një verë duke pushuar dhe relaksuar, Kroosi është kthyer në formë të mirë, pas paraqitjeve nën standardin e krijuar për të nga tifozët gjatë ndeshje të sezonit të kaluar.

Pastaj, kjo treshe kompletohet nga kroati Modric, i cili nuk e ka shfaqur më të mirën e vet gjatë kohës së fundit. Lëndimet dhe suspendimet kanë ndikuar gjithashtu në formën e tij.

Kroati u kthye në skuadrën e Real Madridit për derbin e qytetit në “Wanda Metropolitano”, kundër Atletico Madridit. Pasi që Casemiro dhe Kroosi janë sërish në formë të mirë, tani është koha që atyre t’u bashkohet edhe Modrici.

Ai mund të jetë titullar në ndeshjen e sotshme të “Los Blancos” në “Santiago Bernabeu”, kundër Club Brugge, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së grupeve të edicionit të ri të Ligës së Kampionëve.

Madrilenët i kanë humbur dy ndeshet e fundit në këtë garë (kundër Paris Saint-Germainin në ndeshjen e parë të këtij sezoni të ri dhe kundër Ajaxit në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar), mirëpo u është rritur vetëbesimi nga fitoret e fundit kundër Sevillas dhe Osasunas, si dhe barazimit kundër Atletico Madridit.

(Kosova Sot Online)