Maguire e do shiritin e kapitenit të Man Unitedit

  • 01 October 2019 - 18:19
Maguire e do shiritin e kapitenit të Man Unitedit

Harry Maguiret do t’i pëlqente të bëhet kapiten i Manchester Unitedit një ditë, pasi që mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit dëshiron t’i kthejë Djajtë e KUQ “aty ku përkasin” sërish.

Manchester Unitedi i investoi 80 milionë funte për ta transferuar qendërmbrojtësin anglez nga Leicester City gjatë afatit kalimtar të verës, në tentim për ta larguar klubin nga kriza që e ka kapluar sezonet e fundit.

Kriza në “Old Trafford” filloi në vitin 2013, kur trajneri legjendar Sir Alex Ferguson u pensionua pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme me “Djajtë e kuq”. Pas David Moyesit, Louis van Gaalit, Jose Mourinhos, tani barra për ta kthyer Manchester Unitedin në majat e futbollit ka rënë mbi shpatullat e Ole Gunnar Solskjaer.

Maguire dëshiron ta ketë një rol lideri në projektin e Solskjaer, duke zbuluar se qëllimi i tij është që një ditë ta fitojë shiritin e kapitenit të klubit.

Lojtarët si Ashley Young, David de Gea dhe Paul Pogba qëndrojnë mes Maguiret dhe qëllimit të tij për momentin, mirëpo kjo s’e ka ndaluar 26-vjeçarin të shpresojë.

“Pa dyshim. Kjo është diçka që ende dua ta përmirësoj te vetja – cilësitë e mia si lider në fushë dhe veçanërisht fjalimet të folurën time në përgjithësi”, tha Maguire, në një intervistë të dhënë për United Review.

“Unë dua të kërkoj më shumë nga bashkëlojtarët, të kemi standarde më të larta, por natyrisht që nuk jam duke u përqendruar te kjo gjë për momentin”.

“Jam plotësisht i përqendruar në projektin për ta përmirësuar skuadrën dhe për ta kthyer këtë klub aty ku duhet të jetë”.

Manchester Unitedi do të përballet me AZ Alkmaarin në kuadër të Ligës së Evropës të enjten, para se lojtarët të shkojnë te ekipet e tyre kombëtare për ndeshjet e tetorit.


(Kosova Sot Online)