Suker refuzoi ndeshjen Manchester City – Dinamo Zagreb për Fadil Vokrrin!

  • 02 October 2019 - 11:59
Suker refuzoi ndeshjen Manchester City – Dinamo Zagreb për Fadil Vokrrin!

Ish futbollisti i famshëm kroat, Davor Suker, e ka përfunduar vizitën njëzetekatërorëshe në Prishtinë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë nuk kishte shkuar fare në Angli në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Manchester Cityt dhe Dinamos së Zagrebit pasi e kishte zgjedhur një manifestim të mbajtur të martën në Prishtinë ku është ndarë çmimi ndërkombëtar për legjendën e futbollit kosovar, “Fadil Vokrri i Artë”.

Me këtë rast Suker ka bërë homazhe pranë varrit të Vokrrit të ndjerë.

“Kisha dy opsione: për të shkuar në Manchester, ku Dinamo luante ndeshjen me Cityn në Ligën e Kampionëve ose për të udhëtuar drejt Prishtinës për të nderuar mikun tim, Fadil Vokrri. Unë e zgjodha opsionin e dytë, sepse nuk mund të mungoja në një manifestim të tillë kushtuar mikut tim”, ka thënë Suker, nën drejtimin e të cilit Kroacia mori pjesë në finalen e Botërorit të vitit të kaluar.

Ai e ka këshilluar Kosovën se si ta ndjek rrugën e Kroacisë.

“Bëni gjithçka që është e mundur që të keni lojtarë sa më të mirë dhe të arrini suksese sa më të mëdha sepse këtë e meriton Fadil Vokrri, i cili sigurisht se na vëzhgon nga lart. Jam i befasuar me paraqitjet e ekipit tuaj, por ju duhet të qëndroni me këmbë në tokë, të luani me qetësi dhe të mos bëni shumë zhurmë, sepse derisa të tjerët mendojnë që Kosova është vend i vogël dhe nuk ju njohin shumë si rival do të keni gjasa më të mëdha për sukses”, ka pohuar Suker.

Ai e ka këshilluar Kosovën t’u kushtojë rëndësi lojtarëve të rinj njësoj siç kishte bërë dhe vazhdon të bëjë Kroacia.

(Kosova Sot Online)