Ngrihet padi për racizëm ndaj Silvas, pas postimit për Mendyn

  • 02 October 2019 - 12:34
Ngrihet padi për racizëm ndaj Silvas, pas postimit për Mendyn

Bernardo Silva i Manchester Cityt është paditur nga Federata e Futbollit e Anglisë, pasi portugezi e kishte publikuar në “tweet” kontrovers në shtator, lidhur me bashkëlojtarin e tij, Benjamin Mendyn.

Bernardo Silva e kishte postuar një fotografi të vjetër të Benjamin Mendyt, kur ishte fëmijë, përkrah ikonës së një kompanie spanjolle, “Conguitos”. Pas këtij postimi, me mbishkrimin “Gjejeni kush?”, Silva ishte akuzuar për racizëm.

Mendy u duk se nuk u ofendua nga ai postim, pasi që u përgjigj me emotikone duke qeshur, përderisa edhe shkroi “1:0 për ty, por do ta shohim”. Megjithatë, përdoruesit e tjerë të Twitterit shpejt i theksuan implikimet raciste të postimit të Silvas.

Image

Portugezi fillimisht e fshiu postimin në fjalë, e pastaj shkroi: “As nuk mund të bësh shaka me një shok në ditët e sotshme… Ju djema….”.

Megjithatë, Federata e Futbollit e Anglisë e ka hetuar këtë rast dhe tani është ngritur padi ndaj mesfushorit të Manchester Cityt.

Në deklaratën e lëshuar nga Federata angleze gjithashtu thuhet se futbollisti ka kohë deri më 9 tetor të përgjigjet.

Nëse Silva e pranon dënimin, ai mund të përballet me suspendim prej disa ndeshjeve dhe një gjobë. Ndërsa, nëse e apelon vendimin dhe pastaj e humb apelimin, ai përballet me suspendim edhe më të gjatë dhe me gjobë më të madhe.

(Kosova Sot Online)