Legjenda angleze – yllit të Tottenham: Po deshe trofe, ik diku tjetër

  • 02 October 2019 - 14:01
Legjenda angleze – yllit të Tottenham: Po deshe trofe, ik diku tjetër

Rio Ferdinand i sugjeron sulmuesit të Tottenhamit, Harry Kane, të gjejë një skuadër tjetër nëse dëshiron të fitojë trofetë më të rëndësishëm gjatë karrierës së tij.

Kane nuk ka arritur të ngrejë lart asnjë kupë gjatë karrierës së tij me skuadrën nga veriu i Londrës, ndonëse ka qenë finalist sezonin e kaluar në Champions dhe në Kupën e Ligës më shumë se katër vite më parë (2014-15).

Tottenhami është 10 pikë larg Liverpoolit në Premier League pas vetëm shtatë ndeshjeve të para si dhe u eliminua në Carabao Cup javën e kaluar nga Colchester i Ligës së Dytë.

Fillimi i keq i sezonit nën drejtimin e e Mauricio Pochettinos kulmoi të martën në mbrëmje pasi Tottenhami u poshtërua 2-7 nga Bayerni në shtëpi.

Ferdinand, i cili fitoi gjashtë tituj të Premier League dhe një Champions League me Manchester United, mendon se Kane duhet të largohet për të realizuar ëndrrën e tij për të fituar trofe.

40-vjeçari vazhdoi të krahasonte situatën e tij të kaluar në Leeds me gjendjen aktuale me të cilën përballet Kane te Tottenhami.

“Për çfarë jeni në lojë, për të qenë thjesht pjesë e një klubi apo për të fituar trofe? A duken Spurs-at një ekip i aftë për të fituar trofe? Unë nuk mendoj kështu. Ata ishin një ekip më i mirë disa vite më parë. Prania ime te Leeds është një shembull i ngjashëm. Kam qenë ndoshta një vit ose dy më i ri, por kam qenë në një ekip që u kualifikua në një gjysmëfinale të Championsit. Gjithsesi, mendova se do të kisha shanse më të mira diku tjetër dhe pata mundësinë të shkoj. Kam marrë një vendim shumë të shpejtë për të shkuar dhe për të fituar trofe (Manchester United).”

Ferdinand këmbëngul se Harry Kane duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që i jep merkatoja.

“Harry me siguri po mendon për këto pyetje. Ato duan një përgjigje të shpejtë. Ai është 26 vjeç dhe ka vetëm një dritare të vogël mundësish, që vijnë dhe shkojnë shumë shpejt.”

(Kosova Sot Online)