Reagon Erikseni pas lajmit se bashkëshortja po e tradhton me yllin tjetër të Tottenhamit

  • 02 October 2019 - 18:09
Reagon Erikseni pas lajmit se bashkëshortja po e tradhton me yllin tjetër të Tottenhamit

Christian Eriksen është përgjigjur ndaj spekulimeve se bashkëshortja e tij është duke e tradhtuar me bashkëlojtarin e tij në Tottenham, Jan Vertonghenin. Danezi i ka cilësuar si gjepura këto raportime.

Së fundi, mediat britanike raportuan për një marrëveshje mes bashkëshortes së Christian Eriksenit dhe mbrojtësit belg. Ky lajm u ndoq nga lajmet se futbollistët ishin zënë mes vete në zhveshtore.

Dy futbollistët e Tottenhamit raportohej se nuk po flisnin me njëri-tjetrin pas këtij incidenti, e madje thuhej se Erikseni nuk kishte qenë në gjendje as të luajë futboll dhe të stërvitet normalisht.

Mediumet angleze gjithashtu raportonin se Mauricio Pochettino po e kishte të vështirë ta kontrollojë situatën, duke e shtyrë kështu edhe më shumë Eriksenin ta kërkojë një transferim në Real Madrid.

Megjithatë, Erikseni e shfrytëzoi llogarinë e tij në rrjetin social Twitter për t’i kundërshtuar këto spekulime, duke i mohuar thashethemet me një përgjigje vetëm me një fjalë.

“Gjepura”, shkroi Erikseni, tweet ky të cilit Vertonghen iu përgjigj vetëm me disa emotikone.

Lajmet për këtë gjë e shtuan pakënaqësinë në mesin e tifozëve të Tottenhamit, të cilët dje e shikuan skuadrën e tij të pësojë disfatë me rezultat 7:2 në shtëpi kundër Bayern Munichut, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

(Kosova Sot Online)