Antonio Conte: Interi e meritoi fitoren më shumë se Barcelona

  • 03 October 2019 - 08:27
Antonio Conte: Interi e meritoi fitoren më shumë se Barcelona

Trajneri i Interit, Antonio Conte, beson se skuadra e tij e meritoi ta mposhte Barcelonën të mërkurën në Ligën e Kampionëve.

Lautaro Martinez e kaloi gjigantin italian në epërsi pas vetëm dy minutave lojë në Camp Nou, por dy gola të Luis Suarezit në pjesën e dytë ia siguruan fitoren dhe pikët e plota nikoqirit.

Barcelona tani grumbullon katër pikë në vendin e dytë në Grupin F, aq sa edhe lideri Dortmund, dhe tri më shumë se Interi në pozitën e tretë.

“Pjesa e dytë i ndryshoi ndeshjen plotësisht. Ne kishim përgjigje për gjithçka që Barcelona bënte deri në minutën e 65-të. Kemi mundur ta fitonim një penallti”, tha Conte pas ndeshjes.

“Ata shënuan në kundërsulm dhe aty e humbëm ritmin. Kjo na lë shije të hidhur duke e ditur se çfarë kemi bërë, sa kemi krijuar. Ne e merituam fitoren shumë më shumë se Barcelona”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online )