Suarez i paralajmëron ekipet evropiane: Unë s’dorëzohem kurrë

  • 03 October 2019 - 10:42
Suarez i paralajmëron ekipet evropiane: Unë s’dorëzohem kurrë

Luis Suarez i ka paralajmëruar ekipet evropiane, pasi me dy supergola i ndihmoi Barcelonës ta mposhtë Interin 2:1 me rikthim të mërkurën në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi uruguaian tregoi edhe një herë pse është ndër sulmuesit më të mirë në botë, me golin fantastik me volei dhe më pas me golin e fitores pas një depërtimi dinak në fund të takimit në Camp Nou.

Ai e vlerësoi fitoren si shumë të vlefshme kundër, siç tha, rivalit të drejtpërdrejt në Grupin F.

“Është një fitore shumë e vlefshme kundër rivalit direkt. Ne reaguam për t’i përmirësuar gabimet e pjesës së parë. Ne e dinim se nëse do të vazhdonim të luanim ashtu, do të humbnim”, tha Suarez pas ndeshjes.

“Ne treguam durim, dhe kjo është më rëndësi sepse kështu krijuam raste. Të jesh sulmues, do të thotë të bësh përpjekje për t’i ndihmuar ekipit me gola dhe asiste. Unë jam punëtor i zellshëm dhe nuk dorëzohem kurrë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)