Bordi i FBK-së miraton projektin për mbështetjen e vajzave në basketboll

  • 03 October 2019 - 12:46
Bordi i FBK-së miraton projektin për mbështetjen e vajzave në basketboll

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendim që të mbështesë Klubet e Superligës së Femrave, Ligës së Parë të Femrave, Ligës U16 të Vajzave dhe Ligës U14 të Vajzave.

Klubet e Superligës së Femrave, Bordi i FBK-së ka vendosur që t’i mbështesë me blerjen e fanellave për ndeshje, topave Spalding të vajzave, si dhe me mbulimin e shpenzimeve të statistikave për ndeshje.

Klubet e Ligës së Parë të Femrave, Bordi i FBK-së ka vendosur që t’i mbështesë me blerjen e fanellave për ndeshje dhe topave Spalding të vajzave.

Ndërkaq ekipet e Ligës së U16 dhe U14 të Vajzave, Bordi i FBK-së ka vendosur që t’i mbështesë me blerjen e fanellave, si dhe do tu shpërndahen topat donacion nga FIBA, si dhe për Ligën U14, që do të zhvillohet në formë të turneve do të vazhdojë me mbulimin e shpenzimeve të personave zyrtarë të ndeshjeve, si dhe në ndërkohë do të përgatisë dhurata të tjera për ekipet që marrin pjesë në këtë ligë.

Liga U14 do të zhvillohet në frymën e kampanjës “Her World, Her Rules” që është pjesë e programit FIBA Europe Gilrs’ Prorgam.

Liga U14 e Vajzave, por edhe të gjitha ligat e kategorive të reja do ta kenë sponsor gjeneral kompaninë “STOBI FLIPS”.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Një ndër politikat kryesore të Federatës së Basketbollit të Kosovës është masovizimi i basketbollit femëror në vendin tonë, por në të njëjtën kohë edhe ngritja e cilësisë. Dhe kjo u dëshmua edhe me vendimin e Bordit të marrë së fundi për mbështetjen e fuqishme ndaj të gjitha klubeve të femrave që janë paraqitur për gara në këtë edicion.

Ne si Federatë jemi duke i kryer me përpikëri të gjitha detyrat tona si institucioni më i lartë i basketbollit në Kosovë, ndërsa tani ju mbetet klubeve që të punojnë më shumë në ngritje të cilësë tek basketbolli femëror, dhe në sistematizim të punës me vajza.

Kemi përkrahje të madhe në projekte të ndryshme nga FIBA, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, Departamenti i Shtetit Amerikan në përkrahje të politikës për masovizimin e basketbollit ndër vajza, dhe atë pikërisht për shkak të punës dhe vullnetit të madh që e kemi dëshmuar në këtë drejtim.

Ne do të bashkëpunojmë sa më shumë me klube dhe trajnerë në mënyrë që të punohet më shumë me vajza dhe që puna me to të jetë sa më profesionale që mundet, sepse investimi që jemi duke e bërë ne si Federatë nëpër klube duam që në të ardhmen të na kthehet në Përfaqësuese”.

(Kosova Sot Online)