Pochettino dëshiron të largohet nga Tottenhami

  • 03 October 2019 - 13:18
Pochettino dëshiron të largohet nga Tottenhami

Mauricio Pochettino është duke e kërkuar një rrugëdalje për t’u larguar nga Tottenhami, mirëpo klubi nuk planifikon ta shkarkojë atë, sipas gazetës britanike DailyMail.

Presioni mbi Pochettinon është shtuar këtë sezon pas rezultateve të këqija, të cilat kulmuan me disfatën me rezultat 7:2 kundër Bayern Munichut të martën në Ligën e Kampionëve.

Lojtarët e Tottenhamit besojnë se argjentinasi është distancuar këtë sezon nga skuadra dhe ata nuk janë të kënaqur që lojtarët si Jan Vertonghen, Christian Eriksen dhe Dele Alli janë lënë në stol. 

Por, forma e dobët e klubit të Pochettinos nuk e ka larguar interesimin e Manchester Unitedit. Drejtuesit e “Djajve të kuq” janë të gatshëm të paguajnë 32 milionë funte për ta liruar argjentinasin nga kontrata e tij me Tottenhamin.

Në anën tjetër, e përditshmja angleze, Mirror, raporton se gjiganti spanjoll Real Madrid do ta ketë si opsion të parë trajnerin e Tottenhamit nëse vendos përfundimisht ta zëvendësojë Zinedine Zidanin këtë sezon.

Pochettino nënshkroi kontratë pesëvjeçare në vitin 2018 dhe së fundi e ka theksuar përkushtimin e tij ndaj klubit londinez, mes spekulimeve për të ardhmen e tij në Tottenham.

(Kosova Sot Online)