Trajneri i Shqipërisë e pranon: Kosova është një nivel më lart se ne

  • 03 October 2019 - 14:45
Trajneri i Shqipërisë e pranon: Kosova është një nivel më lart se ne

Trajneri i ekipit kombëtar U21 të Shqipërisë, Alban Bushi, e ka pranuar se ekipi kombëtar U21 i Kosovës është një nivel më lart se ekipi i tij, para ndeshjes mes tyre kualifikuese për Kampionatin Evropian U21.

Shqipëria e pret kombëtaren motër më 15 tetor në Elbasan, në duelin e rrethit të tretë kualifikues të Grupit 3, me Bushin që e pranon se Kosova është favorite për t’u kualifikuar në Evropianin e 2021-s.

“Kundërshtarin e njohim, është i fortë dhe pretedent për t’u kualifikuar. Kosova ka një grup të lidhur, ndryshe nga ne, që bëjmë shumë ndryshime, pasi furnizojmë kombëtaren e parë. 3-4 lojtarë të Kosovës, nuk dua të përmend emra, i kemi kontaktuar para dy vitesh, por nuk kanë pranuar të vijnë, edhe pse për ne nuk është problem”, tha Bushi të enjten në një konferencë për media.

Kosova zë vendin e tretë në grup me gjashtë pikë, aq sa kanë Anglia (1) dhe Austria (2), por me një lojë më shumë të zhvilluar se këto dy të fundit. Shqipëria, ndërkohë, renditet e parafundit në grupin prej gjashtë skuadrave me vetëm dy pikë.

Kundër kombëtares motër, Shqipëria do ta kërkojë fitoren e parë në grup, por Bushi është i vetëdijshëm se do të përballet me një kundërshtar më të motivuar dhe me dëshirë më të madhe për fitore. Ai, megjithatë, shpreson në ndihëm e tifozëve në Elbasan Arena.

Pika e tyre më e fortë është agresiviteti dhe dëshira që kanë për të fituar, diçka që s’e kanë lojtarët tanë. Ne mundohemi t’i motivojmë, por nuk e di pse nuk e kanë në gjak. Unë mendoj se Kosova është një hap më lart se ne. Po t’i shikosh lojtarët tanë, kanë më shumë cilësi. Por, kjo grinta duket se e mposht cilësinë. Kosova i ka të gjithë lojtarët që luajnë titullarë në skuadrat e tyre dhe marrin minuta. Tifozët na kanë mbështetur, ekipin kombëtar duhet ta mbështesin, pavarësisht orarit apo kohës së keqe. Unë mendoj se me Kosovën do të ketë tifozë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)