Klopp: Largohem nga Liverpooli nëse m’i publikojnë fjalimet online

  • 04 tetor 2019 - 18:39
Klopp: Largohem nga Liverpooli nëse m’i publikojnë fjalimet online

Jurgen Klopp ka premtuar se ai do të largohet nga posti i trajnerit të klubit nëse Liverpooli ia publikon ndonjë fjalim të tij në zhveshtore online, pasi Salzburgu ia publikoi fjalimin Jesse Marschit gjatë takimit mes dy klubeve në Anfield, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli e mposhti Salzburgun me rezultat 4:3 të mërkurën, por ndeshja fillimisht ishte dukur se do të përfundonte më pozitive për “Reds’, të cilët kishin qenë në epërsi 3:0 në minutën e 39-të, falë golave të Sadio Manes, Andreë Robertsonit dhe Mohamed Salahut,.

Salzburgu megjithatë u kthye në lojë duke i shënuar tri gola radhazi, por Salahu shënoi sërish për t’ia dhënë Liverpoolit tri pikët nga kjo ndeshje, duke e shënuar golin e tij të dytë të ndeshjes 21 minuta para fundit.

Një video e trajnerit të Salzburgut, Marsch, pas pjesës së parë në zhveshtore, u publikua në rrjetet sociale ditën vijuese. Ai u lavdërua për mënyrën se si i kishte nxitur lojtarët e tij ta kërkojnë fitoren kundër Liverpoolit.

Por, Kloppi ka thënë se nuk do ta toleronte një gjë të tillë nga Liverpooli.

“Nëse LFCTV do ta transmetonte një video timen në një situatë të atillë, unë do të largohesha nga klubi. Kjo është e vërteta dhe kjo është e gjitha që unë kam për ta thënë për këtë”, ka thënë Kloppi. 

Pastaj, Kloppi bëri të ditur se Xherdan Shaqiri dhe Joel Matip do të mungojnë në ndeshjen e së dielës kundër Leicester Cityt në Premierligë, ndërsa e ka konfirmuar se Alisson Becker është kthyer në stërvitjet me skuadrën.

“Për Alisson, jemi ende te “ndoshta po e ndoshta jo”. Dje ai u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës për herë të parë. Por, nëse i dini stërvitjet e portierëve, ato janë shumë më të vështira sesa sesionet e zakonshme stërvitore. Ai u duk mirë”, tha Klopp.

“Do ta shohim, duhet të flasim me disa njerëz të ndryshëm para se ta marrin vendimin përfundimtar për të”.

“Joel duket mirë, por ai nuk do të jetë gati për nesër e as Shaqiri jo. As Clyney jo”.

“Kjo është e gjitha. Pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare, ata të gjithë do të kthehen nga lëndimet, përveç Clyneyt. Por, deri atëherë, ne e kemi vetëm edhe një ndeshje dhe duhet të luajmë pa ta në atë ndeshje”.

Një ndeshje e madhe e pret Liverpoolit pas pushimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, pasi që djemtë e Jurgen Kloppit do ta vizitojnë Manchester Unitedin në “Old Trafford”, më 20 tetor, menjëherë pasi të kthehen në klube lojtarët.

(Kosova Sot Online)