Zemërohet Jurgen Klopp, me gjithë fitoren e Liverpoolit

  • 06 October 2019 - 09:41
Zemërohet Jurgen Klopp, me gjithë fitoren e Liverpoolit

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk ka mundur ta shijojë fitoren e vonshme të Liverpoolit kundër Leicesterit, për shkak se ndërhyrja e rëndë e Hamza Choudhury e detyroi Mohamed Salahun ta lërë fushën duke çaluar.

Mesfushori i Leicesterit e hodhi në tokë sulmuesin e Liverpoolit, i cili e pati rrugën e hapur drejt portës në fund të ndeshjes në Anfield, dhe u ndëshkua me karton të verdhë për këtë, derisa Salah, edhe pse luajti për disa minuta, u largua nga fusha plot dhimbje.

Gjendja afatgjate e sulmuesit egjiptian nuk dihet ende.

Liverpooli ia doli ta ruajë ecurinë e fitoreve radhazi edhe pas 17 ndeshjeve në Premierligë por, pas ndeshjes, trajneri gjerman Klopp shprehu zemërimin me Choudhury, për shkak të ndërhyrjes së ashpër në futbollistin e tij.

“Qëndroj këtu dhe duhet të jem i lumtur vetëm për faktin sesi djelmoshat ia dolën, por nuk mund ta kuptoj kartonin e verdhë të Choudhury. Ai nuk duhet ta bëjë këtë”, tha Klopp.

“Nuk mund ta godasësh lojtarin dhe të ndëshkohesh vetëm me të verdhin, nuk e kuptoj sesi funksionon kjo”, shtoi ai.

“Për tri vjet radhazi, ne jemi ekipi me më së paku kartonë të verdhë, ne nuk bëjmë ndërhyrje të tilla. Për ta ngadalësuar Mo (Salahun), kjo nuk është në rregull”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)