Challandes: Kosova duhet ta mundë Malin e Zi për ta vazhduar ëndrrën Euro 2020

  • 07 October 2019 - 12:06
Challandes: Kosova duhet ta mundë Malin e Zi për ta vazhduar ëndrrën Euro 2020

Trajneri i Kosovës Bernard Challandes, e ka pranuar se Kombëtarja verdhekaltër duhet patjetër ta mposhtë Malin e Zi në ndeshjen e javës së ardhshme, për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Duke folur të hënën në një konferencë për media për dy ndeshjet e tetorit, miqësoren kundër Gjibraltarit të enjten edhe takimin e Grupit A kualifikues ndaj Malit të Zi tri ditë më pas në kryeqytet Prishtinë, trajneri zviceran nënvizoi se ndeshja me malazezët është e rrezikshme dhe shumë e rëndësishme për “Dardanët”.

Kosova ende ka gjasa të mëdha për t’u kualifikuar në Kampionat Evropian në tentimin e parë, sepse pas pesë xhirove, verdhekaltrit gjenden në vendin e tretë me vetëm një pikë prapa Republikës së Çekisë, e cila pozicionohet në vendin e dytë, që dërgon direkt në Euro 2020. Anglia, ndërkohë, është lidere e Grupit A me gjasa shumë të mëdha për ta fituar atë.

Pas kësaj ndeshje, Kosova do t’i ketë edhe dy ndeshje kualifikuese, atë në udhëtim ndaj rivalit të drejtpërdrejt për pozitën e dytë, Çekinë dhe e pret Anglinë në Prishtinë në majin nëntor.

“Ndeshja me Malin e Zi është shumë e rëndësishme. Jua shpjegoj pse, sepse Mali i Zi është shumë ekip i mirë. Duhet të fitojmë ndaj tyre për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim. Nëse nuk mbrohemi së bashku, madje edhe në (miqësoren) me Gjibraltarin, atëherë nuk kemi shanse (për kualifikim)”, tha Challandes të hënën në Prishtinë.

“Mali i Zi nuk ka luajtur dobët me Çekinë, ka pasur raste. Loja me malin e Zi është e rrezikshme. Lojtarët i kanë merituar komplimentet për punën e bërë deri tash. Ky efekt paraqet rrezik për ekipin, nuk duhet te jemi te relaksuar. Nuk duhet te mendojmë se jemi më të mirët, jemi më të mirët. Kosova duhet të luftojë në çdo ndeshje. Tash është koha të luftojmë, që kjo mundësi të bëhet objektiv dhe realitet, pra kualifikimi”, shtoi ai.

Trajneri zviceran është i vetëdijshëm se çfarëdo rezultati negativ me Malin e Zi, ia zbeh dukshëm gjasat Kosovës për ta siguruar kualifikimin në ndeshjen e fundit me Anglinë.

“Nëse nuk luajmë mirë me Malin e Zi, loja me Anglinë do të jetë një miqësore. Loja më e rëndësishme për ne është ajo me Malin e Zi, të mos mendojmë për ndeshjet e nëntorit. Te fokusohemi vetëm tek kjo loje. Nëse nuk e fitojmë atë, ne nëntor nuk do te kemi shume gjasa për kualifikim”, theksoi ai.

“Challandes: Do te ishte budallallëk të mendojmë se jemi shume përpara Malit te Zi. Ne duhet te jemi te përgatitur për këtë lojë. Të mos mendojmë se malazezet do te vijnë këtu dhe të thonë: Kosova është mjaft e fortë”, nënvizoi Challandes

I pyetur për deklaratat e trajneri të Malit të Zi, Hadzibegic, se Kosova është si Brazili dhe favorit ndaj ekipit të tij, Challandes tha: “Sa u përket deklaratave të trajnerit të Malit të Zi, ai ka menduar ndoshta të provokojë, duke thënë se Kosova është si Brazili dhe se ekipi i tij është pa gjasa. Është një mënyrë e tij se si ta përgatisë ekipin e tij. Por ne duhet te jemi te kujdesshëm dhe të vëmendshëm. Kemi ende punë për të bërë në rrugëtimin tonë”.

Ndërkohë, në lidhje me mos ftimin e Donis Avdijajt, Challandes theksoi: “Sa i përket mungesës së Donis Avdijajt, ne duhet të zgjedhim lojtarë, i zgjedh lojtarët nga disa faktorë. Avdijaj nuk është këtu, është zgjedhje e imja e bazuar në një vendim timin dhe asgjë tjetër”.

Challandes foli edhe për disa nga lojtarët që u kthyen në Kombëtare nga lëndimet, duke nënvizuar: “Rashica e ka rikthyer besimin, ai është shumë i rëndësishëm, ka luajtur 90 minuta mbrëmë. Halimi është i suspenduar, Shala ka një problem të vogël, do ta shohim. Do te mundohemi ta bëjmë zgjedhjen më të mirë. Sa i përket Benjamin Kolollit, jam i lumtur që ai luajti 30 minuta në ndeshjen e fundit për ekipin e tij dhe që tani do ta kem në dispozicion. Celina e kishte një javë të vështirë dhe të lodhshme, duhet të shohim”.

I pyetur nga medie nëse do ta ftonte Albin Kurtin, i cili mund të jetë kryeministër i ri i Kosovës, në lojën me Malin e Zi, Challandes u përgjigj: “Ndoshta Federata mund ta ftojë Albin Kurtin, do te ishte i mirëseardhur, kombëtarja është pjesë e shtetit. Do të ishte mirë nëse na jep edhe premi për kualifikim (qeshet)”, shtoi ai.

“Ndeshja me Gjibraltarin është shumë e rëndësishme për mua. Në këtë ndeshje do të luajnë lojtarët të cilët nuk kanë minuta në ekipet e tyre përkatëse dhe në ekipin kombëtar”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)