Selahi: Shqipërinë e zgjodha pa u menduar dy herë

  • 07 October 2019 - 15:16
Selahi: Shqipërinë e zgjodha pa u menduar dy herë

Lindon Selahi, mesfushori i talentuar i Twentes, i cili po bën paraqitje shumë të mira në kampionatin holandez, ishte një nga risitë e listës së trajnerit Edy Reja për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë.

I pranishëm në konferencën për shtyp të kësaj të hëne sëbashku me Cikalleshin, 20-vjeçari theksoi se zgjodhi Shqipërinë pa u menduar dy herë edhe pse për të kishte interes edhe nga Belgjika.

Lindon Selahi në konferencë për media në Tiranë

“Mendoj se e kam merituar këtë ftesë. Që i vogël ka qenë dëshira ime që të luaj në kombëtare. Jam ende shumë i ri por shpresoj që të luaj, trajneri vendos në fund dhe mendoj se jam gati. I njoh disa futbollistë pasi Seferin e kam njohur, ashtu edhe Ramadanin.Kur kam qenë i ri kam luajtur me Belgjikën sepse nuk më ka ftuar Shqipëria, por tani që më thirri Shqipëria e vendosa. Edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por kur e ndjen veten shqiptar, shkon 100% te Shqipëria”.

Më pas Selahi u ndal te dy ndeshjet e rradhës, ndërsa shpjegoi edhe pozicionin e tij në fushë me shpresën se trajneri Reja do t’ia japë mundësinë për të debutuar me kuqezinjtë.

Ka pasur moment që nuk kanë qenë mirë por tani jemi mirë. Mendoj se kemi shans për të kaluar dhe në Turqi e Moldavi shkojmë për të fituar dhe për të luajtur mirë.Mund të luaj kudo në mesfushë por mund të luaj më mirë si numër 8. Nuk e kam problem edhe si “6” apo “10”. Për momentin jam në sezonin parë te Twente por jam mirë. Nuk po shoh lart por jam mirë. Ëndrra ime është të luaj sa më shumë minuta dhe të luaj me kombëtaren. Ëndrra është të kualifikohemi dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje në Europian”.

(Kosova Sot Online)