Drita kërkon ta marrë sërish kreun e ligës, Gjilani kërkon fitoren e tretë radhazi

  • 08 October 2019 - 10:46
Drita kërkon ta marrë sërish kreun e ligës, Gjilani kërkon fitoren e tretë radhazi

Sot në orën 14:30 do të zhvillohen edhe dy ndeshje të vlefshme për xhiron e nëntë të Ipko Superligës së Kosovës. Dy klubet gjilanase – Drita dhe Gjilani – do të përballen me Drenicën dhe Dukagjinin respektivisht.

Me fitoren kundër Prishtinës, Ballkani e mori kreun e tabelës së Superligës së Kosovës. Mirëpo, Drita do të synojë ta rimarrë këtë pozitë sot, me fitore kundër Drenicës, për shkak të dallimit më të mirë në gola.

Pas fitores 1:0 kundër Feronikelit, tani Drita kërkon fitore edhe kundër klubit tjetër drenicas, që s’di për fitore që tri ndeshje dhe për momentin radhitet në pozitën e nëntë të tabelës së elitës së futbollit kosovar.

Në anën tjetër, edhe Gjilani dëshiron ta vazhdojë formën e mirë në Superligën e Kosovës dhe sot do ta kërkojë fitoren e tretë radhazi, për t’u ngritur në pozitën e tretë në tabelë.

Për ta arritur këtë qëllim, ata do të duhet ta mposhtin Dukagjinin, që radhitet i fundit në tabelë, me vetëm katër pikë të fituara nga tetë ndeshjet e para. Fitorja e vetme e Dukagjinit erdhi në ndeshjen e 2 tetorit, kundër Trepçës ’89 me epërsi minimale 1:0.

Fitore në kuadër të kësaj xhiroje shënuan Ballkani kundër Prishtinës, Ferizaj kundër Llapi. Ndërsa, Trepça ’89 barazoi me Feronikeli e Vushtrria barazoi me Flamurtarin.

(Kosova Sot Online)