Wijnaldum: Liverpooli s’është ende kampion

  • 08 October 2019 - 11:17
Wijnaldum: Liverpooli s’është ende kampion

Liverpooli mund të jetë në epërsi për tetë pikë në krye të tabelës së Premierligës, mirëpo Georginio Wijnaldum dëshiron ta theksojë se “Reds” nuk e konsiderojnë vetëm kampionë ende.

Skuadra e Jurgen Kloppit e ka nisur në mënyrë të përsosur sezonin e ri të Premierligës. Ecuria mbresëlënëse e fundit të sezonit të kaluar ka vazhduar edhe në fillim të këtij sezoni të ri dhe Liverpooli i ka arritur 17 fitore radhazi në Premierligë.

Kjo ecuri e përsosur e djemve të Jurgen Kloppit e ka ngritur Liverpoolin si favorit për titullin e kampionit të Anglisë këtë sezon, para Manchester Cityt, përkundër që skuadra e Manchester City e fitoi këtë garë sezonin e kaluar.

Shumë tifozë dhe gazetarë sugjerojnë se tanimë trofeu i Premierligës është në duart e Liverpoolit, por Wijnaldum insiston se askush në “Anfield” nuk e ndan të njëjtin mendim, të paktën ende jo.

“Ne nuk duam të mendojmë se veçse jemi kampionë. Kjo do të ishte gjëja e gabuar për të bërë”, ka thënë mesfushori holandez në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Jam i sigurt se trajneri do të na mbajë me këmbë në tokë dhe do të thotë se ne vetëm po mendojmë për veten dhe po tentojmë të luajmë mirë dhe ta japim 100 përqindëshin tonë çdo javë”.

“Ne vetëm duhet ta bëjmë atë që e bëmë edhe javën e kaluar dhe ta shikojmë veten dhe jo shumë ekipet e tjera sepse ne nuk kemi ndikim te ekipet e tjera – nuk mund t’i kontrollojmë paraqitjet e skuadrave të tjera”.

“Duhet të sigurohemi se jemi gati për ndeshjet që i kemi para vetes dhe të sigurohemi se jemi gati për të tentuar të marrim rezultate të mira sepse e dimë se gjithçka mund të ndryshojë shpejt. Pastaj, në fund të sezonit, do ta shohim se ku jemi”.

(Kosova Sot Online)