Akuzohet për mashtrim, faqja që i shet biletat e Kosovës mohon pretendimet

  • 08 October 2019 - 12:04
Akuzohet për mashtrim, faqja që i shet biletat e Kosovës mohon pretendimet

Përderisa disa tifozë të Kosovës e kanë akuzuar uebsajtin tiks.app për mashtrim, këta të fundit theksojnë se janë vetë tifozët ata që nuk kanë ditur ta përdorin uebsajtin ose po tentojnë të manipulojnë.

Për ndeshjen e Kosovës me Malin e Zi, që do të zhvillohet të hënën në orën 20:45 në “Fadil Vokrri” ka pasur interesim të madh. Në uebsajtin tiks.app biletat për këtë ndeshje u shitën të gjitha brenda 11 minutave.

Shitja e shpejtë e këtyre biletave shkaktoi pakënaqësi te shumë tifozë, në mesin e të cilëve është edhe Fation Ibishi. Ai thotë se ishte ndër personat që arriti të blejë në uebsajt biletë për ndeshjen e së hënës, mirëpo u habit kur konfirmimi në e-mail i erdhi për ndeshjen miqësore kundër Gjibraltarit.

Në adresën e medias, Ibishi i dërgoi disa fotografi për t’i dëshmuar pretendimet e tij.

“Na kanë lodhur me këto bileta. Mezi i blen njeri e në fund këqyrin me të mashtru”, ka thënë Ibishi.

Përderisa ai thotë se gabimi nuk ishte i tij, pasi që shton se biletat për ndeshjen kundër Gjibraltarit nuk kishin qenë në shitje kur ai i bleu biletat për ndeshjen kundër Malit të Zi, Tiks.app e kundërshton këtë gjë.

“Nuk ka mundësi teknikisht. Ka disa njerëz, shtatë apo tetë njerëz, me rast të tillë, ku tentohet të manipulohet për shkak të numrit të limituar të biletave për Malin e Zi”, tha zyrtari i Tiks.app për media.

“Ata i kanë blerë biletat për ndeshjen kundër Gjibraltarit dhe pastaj kanë thënë se kemi gabuar dhe a  mundeni të na i ndërroni vendet, të na vendosni te Mali i Zi, sepse s’dua të shkoj ta shikoj Gjibraltarin”.

“Teknikisht, në uebsajtin tonë, janë dy ngjarje të ndryshme. Njeriu duhet të jetë shumë i paarsimuar sa i përket sistemit online që të bëjë gabim të tillë, që ta blejë biletën për Gjibraltarin në vend të asaj për Malin e Zi”.

Për momentin, biletat për ndeshjen kundër Gjibraltarit janë në dispozicion në uebsajtin tiks.app, ndërsa ato për ndeshjen kundër Malit të Zi janë shitur të gjitha.

(Kosova Sot Online)