Tifozët e Milanit kundër Piolit: S’e duam sërish një tifoz të Interit si trajner

  • 08 October 2019 - 14:01
Tifozët e Milanit kundër Piolit: S’e duam sërish një tifoz të Interit si trajner

Përderisa Stefano Pioli po bëhet gati për ta nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Milanin, tifozët kuqezi janë të pakënaqur që sërish një tifoz i Interit do ta drejtojë skuadrën e tyre.

Stefano Pioli pritet ta zëvendësojë Marco Giampaolon në pozitën e trajnerit të Milanit dhe Gazzetta dello Sport thekson se ai do të fitojë vetëm rreth një milionë euro në sezonin e parë, dhe 1.5 milionë në sezonin e dytë.

Megjithatë, vendimi i kuqezinjve për ta sjellë 53-vjeçarin në pozitën e trajnerit të Milanit nuk është pritur mirë nga shumica e tifozëve.

Në fakt, #PioliOut (Pioli jashtë) është bërë trendi i parë në Twitter në Itali, përkundër që ish-trajneri i Interit as nuk është emëruar ende.

Deklaratat e tij gjatë kohës sa ishte trajneri i pjesës së kaltër të San Siros po qarkullojnë nëpër media sërish dhe ato kanë bërë që tifozët e Milanit ta protestojnë emërimin e tij.

“E gjitha familja ime është me Interin. Presioni më dërgoi diku tjetër, por besnikëria ime ishte gjithmonë me Interin. U rrita duke kënduar: “Do ta fitojmë skudeton me Beccalossin dhe Pasinatos”, kishte thënë Pioli.

Pioli i kishte humbur 10 nga 27 ndeshjet e  tij të fundit si trajner i Interit gjatë sezonit 2016/17, mirëpo ai arriti t’ia sigurojë Lazios një vend kualifikues për në Ligën e Kampionëve.

Në anën tjetër, trajneri aktual i Milanit, Giampaolo, së fundi e pranoi se kishte qenë tifoz i Interit kur kishte qenë i vogël. 

(Kosova Sot Online)