Kthehet në fushë pasi e pështyu kundërshtarin, Grezda e nis me penallti të humbur

  • 08 October 2019 - 15:39
Kthehet në fushë pasi e pështyu kundërshtarin, Grezda e nis me penallti të humbur

Sulmuesi shqiptar Eros Grezda është rikthyer në fushën e blertë për herë të parë në një ndeshje zyrtare sot, që nga incidenti që pati para shumë javësh, kur e kishte pështyrë një kundërshtar.

Karrierës e Eros Grezdës ka marrë një kthesë të madhe për të keq gjatë kohës së fundit. Trajneri Edy Reja e largoi atë nga Kombëtarja e Shqipërisë e ai më vonë u përball me një përjashtim të tillë edhe nga Rangers.

Trajneri Steven Gerrard e kishte bërë të qartë se Grezda s’do të luajë më për ekipin e parë dhe për këtë arsye shqiptari po luan për akademinë e klubit.

Sot, ai luajti në formacionin e parë të akademisë në ndeshjen kundër Charlise United, ku pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale 1:0 për mysafirët. Gisht në këtë deficit të skuadrës së tij ka pikërisht Grezda, i cili e humbi një penallti në minutën e katërt të ndeshjes.

 

Grezda ka bërë të ditur që në janar do ta kërkojë një klub të ri dhe ka thënë se tashmë ka marrë oferta, pasi që Gerrard e kishte bërë të qartë se shqiptari s’ka të ardhme në skuadrën e tij pasi e pështyu kundërshtarin.

“I kemi treguar se si është situata e tij. Është këshilluar që të gjejë një sfidë të re. Po tentojmë të jemi të respektueshëm me të dhe t’i japim kohë pas kohe minuta që të jetë në gjendje të mirë fizike pasi ka ende merkato të hapura në liga të ndryshme që mund t’i përshtateshin atij”, kishte thënë Gerrard.

“Sido që të jetë, nëse ju silleni në atë mënyrë, nuk do ta përfaqësoni këtë klub më. Askush që e bën atë nuk e vesh më fanellën e Rangers kështu që do të merren masa”.

“Duhet të shikoj dhe të kuptoj më shumë se çfarë ka ndodh, të marrë opinione e lojtarëve. Kam disa versione kështu që jam i vetëdijshëm çfarë ka ndodhur. Nuk jam aspak i lumtur me atë që ka bërë”. 

(Kosova Sot Online)