Futbollistët e Shqipërisë besojnë se do ta mposhtin Kosovën

  • 08 October 2019 - 23:01
Futbollistët e Shqipërisë besojnë se do ta mposhtin Kosovën

Futbollistët e ekipit kombëtar U21 të Shqipërisë besojnë se do ta mundin ekipin kombëtar motër U21 të Kosoës, në përpjekje për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Kampionatin Evropian 2021.

Kosova U21 e pret Shqipërinë U21 të martën më 15 tetor në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në një ndeshje të Grupit 3 kualifikues që për kuqezinjtë është mbase mundësia e fundit për të mbetur në garë për kualifikim.

Kjo për shkak se Shqipëria ngel katër pikë mbrapa tri ekipeve të para, Anglisë, Austrisë dhe Kosovës.

Duke folur të martën mbrëma në një konferencë për media në Tiranë, Albion Ademi dhe Enis Çokaj, e theksuan rëndësinë e këtij takimi dhe dëshirën e madhe të tyre për të triumfuar.

“Atmosfera në skuadër duket shumë e mirë dhe jemi gati për të luajtur kundër Kosovës. Besoj se do ta fitojmë këtë sfidë. Synimi ynë kryesor është të marrim maksimumin pikëve. Kjo është një sfidë e rëndësishme dhe do të ishte një fitore e madhe për ne”, ka thënë Ademi për SuperSport.

Dhe Enis Cokaj gjithashtu deklaroi se skuadra po përgatitet mirë për këtë sfidë ndaj një Kosove që e vlerëson maksimalisht ndërsa beson se së shpejti cilësia e grupit dhe stafit drejtues do të dal në pah.

“Atmosfera është shumë e mirë në skuadër. Po punojmë fort për të qenë në maksimum dhe të marrim pikët e plota kundër Kosovës. Po e presim me padurim këtë sfidë. Skuadrës nuk i ka munguar asgjë, ka shumë kualitet brenda. Edhe trajneri është shumë i mirë, thjesht duhet kohë. Rezultatet do të vijnë shumë shpejt. Tifozët janë të rëndësishëm dhe i ftoj të na mbështesin. Në çdo ndeshje e kemi detyrim fitoren. Do të futemi në fushë të marrim maksimumin dhe shpresoj te një rezultat sa më i mirë”, tha Cokaj.

(Kosova Sot Online)