Messi e pranon se e donte largimin nga Barça në vitin 2017, por s’kishte marrë ofertë

  • 09 October 2019 - 10:50
Messi e pranon se e donte largimin nga Barça në vitin 2017, por s’kishte marrë ofertë

Lionel Messi ka befasuar me intervistën e tij të fundit, pasi që ai bëri të ditur se kishte dashur të largohet nga Barcelona gjatë kohës kur akuzohej për evazion fiskal dhe se vetëm mungesa e ofertave nga klubet e tjera e kishte mbajtur atë në Katalonjë.

Kapiteni argjentinas ka luajtur për Barcelonës gjatë gjithë karrierës së tij si profesionist dhe ka bërë të ditur se është i gatshëm edhe ta përfundojë karrierën me vetëm një klub. Por, gjithçka mund të ketë qenë ndryshe nëse atij do t’i kishte ardhur ndonjë ofertë në verën e vitit 2017.

Duke folur në një intervistë për RAC1, argjentinasi tha: “Në atë kohë, gjatë rrëmujës me taksat, unë dëshiroja të largohesha – por jo pse doja të largohesha nga Barcelona, por sepse doja të largohesha nga Spanja”.

“Unë ndihesha i keqtrajtuar dhe nuk dëshiroja të qëndroja këtu më tutje. Unë kurrë nuk mora asnjë ofertë zyrtare sepse të gjithë e dinin se qëllimi im ishte të qëndroja këtu”.

Kur u pyet më tutje për rastin e padisë për shmangie të pagimit të taksave, që përfundoi me gjobitje të futbollistit me 223 mijë funte, ai shtoi: “Ishte shumë e vështirë për mua dhe familjen time sepse njerëzit nuk e dinin se çfarë po ndodhte”.

“E vërteta është se ishte e vështirë për shkak të gjithçkaje që po ndodhte, por është më mirë që fëmijët e mi ishin të vegjël dhe nuk e dinin”.

Tani, Messi mbetet në “Camp Nou dhe për momentin po e luan sezonin e tij të 16-të në karrierën e tij si profesionist me klubin katalonas.

Që kur debutoi në nëntor të vitit 2003, ai i ka shënuar 604 gola për klubin në 692 ndeshje të zhvilluara dhe synon të shtojë edhe shumë të tjera në rekordin e tij personal.

Kur u pyet për të ardhmen e tij, Messi tha: “Sot, dëshira ime dhe e familjes time është që ta përfundoj këtu karrierën.

“Fillimisht për shkak të asaj se si jam unë në këtë klub, si ndihem këtu e pastaj edhe për shkak të afërsisë dhe përshtatjes në qytet, për fëmijët e mi, për t’i mbajtur shoqëritë dhe nuk dua të prish gjithçka vetëm sepse doja të përjetoja diçka në një nivel personal”. 

(Kosova Sot Online)