Prekazi flet për përballjen Shqipëri – Kosovë: Është si çdo ndeshje tjetër

  • 09 October 2019 - 11:06
Prekazi flet për përballjen Shqipëri – Kosovë: Është si çdo ndeshje tjetër

Trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi, ka insistuar se përballja e së martës me Shqipërinë është si çdo ndeshje tjetër dhe se “Dardanët” shkojnë atje me përgjegjësi të madhe dhe me krenari për shtetin e tyre.

Ekipi kombëtar U-21 i Kosovës do të përballet me Shqipërinë U-21 të martën, më 15 tetor, në orën 19:00 në “Elbasan Arena”, në kuadër të Grupit C kualifikues për Kampionatin Evropian.

Përkundër që kjo ndeshje mund të jetë më e veçantë për shumë tifozë për shkak të simbolikës së saj, trajneri Prekazi insiston se kjo është një ndeshje si çdo tjetër.

“Këta djem e kanë dëshmuar se e japin maksimumin çdo herë për Kosovën dhe, fundi i fundit, kanë treguar lojë të fuqishme që i pëlqen popullit të Kosovës. Sa i përket ndeshjes me Shqipërinë, është ndeshja e radhës, sikur edhe ndeshjet e tjera”, ka thënë Prekazi në konferencën për shtyp.

“Sa i përket lëndimeve, edhe ne i kemi problemet tona. Për mua personalisht, dhe për çdo njeri normal që është i njohur me futbollin, e di se futbolli modern është agresiv dhe me futbollin agresic janë të mundshme edhe këto lëndime”.

“Sido që të jetë, sikur edhe në çdo ndeshje tjetër, dihet motoja e Kosovës, Dardanëve e lojtarëve… do të shkojmë të luajmë me moton “Me krenari për këtë shtet dhe me përgjegjësi të madhe””.

Momentalisht, Kosova radhitet e dyta në Grupin C – me gjashtë pikë, baras me liderin Austrinë, të grumbulluara nga tri ndeshjet e para. Ndërsa, Shqipëria, radhitet e pesta me dy pikë të fituara nga katër ndeshjet e para.

(Kosova Sot Online)