Reagon Gjuriq: Prishtina duhet të “fluturojë” nga UEFA dhe FIFA

  • 09 October 2019 - 12:45
Reagon Gjuriq: Prishtina duhet të “fluturojë” nga UEFA dhe FIFA

Pasi skuadrës së Crvena Zvezdas iu ndalua hyrja në Kosovë për ta luajtur ndeshjen e Kupës së Serbisë me Trepçën, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Kosova duhet të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës nuk do të zhvillohet pasi që Policia e vendosur në Jarinë nuk i lejoi serbët të futen në territorin kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.

FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.

Insistimi i FFK-së për të mos e lejuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje mbështetet edhe nga statutet e UEFA dhe FIFA-s, përkundër pretendimeve të Gjuriqit.

“Ky është një tjetër tentim i Prishtinës për ta larguar Serbinë nga Kosova e Metohija në çdo mënyrë simbolike të mundshme, edhe kur ndeshja kishte qëllim promovimin e sportit dhe jo atë politik”, ka thënë Gjuriq.

“Në tentim për ta instaluar një perde të hekurt mes Serbisë Qendrore dhe provincës jugore, Prishtina është duke e zgjedhur një rrugë izolimi të vetes, ashtu siç kanë bërë shqiptarët shpesh herë në histori. Por, serbët nuk duan të mbyllen brenda këtyre mureve dhe duan të ekzistojnë në një shoqëri të hapur, siç është rasti në Evropën moderne sot”.

“Kjo lëvizje anti-evropiane dhe anti-civilizimit nga Prishtina do të lajmërohet në të gjitha instancat kompetente, në mënyrë që i gjithë komuniteti ndërkombëtar ta ketë mundësinë edhe një herë ta shohë Kosovën si pikë të zezë dhe ishull të rrëmujës dhe kaosit në hartën evropiane”.

“Prishtina i ka goditur themelet e futbollit evropian dhe sportit botëror me këtë veprim agresiv politik. Ata duhet të “fluturojnë” nga UEFA dhe FIFA, ku s’duhet të kishin qenë fare”, përfundoi Duric.

(Kosova Sot Online)