Merret vendimi për Dembelen, ai do të mungojë në El Clasico

  • 09 October 2019 - 14:30
Merret vendimi për Dembelen, ai do të mungojë në El Clasico

Anësori i Barcelonës, Ousmane Dembele, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Ernesto Valverde për takimin me Real Madridin në “El Clasico”, pasi që është gjobitur me dy ndeshje për ofendimin e gjyqtarit Mateu Lahoz.

Francezi ishte ndëshkuar me karton të kuq gjatë fitores bindëse me rezultat 4:0 të Barcelonës kundër Sevillas. Gjyqtari shkroi në raportin e tij zyrtar se Dembele i kishte thënë atij: “Ti je shumë i keq”.

Lionel Messi dhe trajneri Valverde e kishin mbrojtur ish-yllin e Borussia Dortmundit për veprimet e tij, duke pretenduar se ai nuk e njeh mirë spanjishten, duke sugjeruar se për këtë arsye duhet edhe t’i zvogëlohet ndëshkimi.

“Ishte një vendim i vështirë sepse Dembele ka probleme me formulimin e fjalive për të thënë diçka qartësisht. Ne u habitëm që Mateu Lahoz e kishte dëgjuar atë aq qartë sepse ai ka probleme me spanjishten”, u shpreh Messi.

Megjithatë, Federata e Futbollit e Spanjës e ka dënuar francezin me pezullim për dy ndeshjet e radhës, duke bërë kështu që Dembele të mos jetë në dispozicion për ndeshjet kundër Eibarit dhe Real Madridit.

Kjo goditja e fundit për francezit që në fillim të këtij sezoni të ri ka marrë disa lajme të këqija. 22-vjeçari, që u transferua në Barcelonë nga Dortmundi në vitin 2017, mungoi në shumë ndeshje të këtij sezoni për shkak të një lëndimi.

Ai i ka bërë vetëm katër paraqitje këtë sezon për shkak të disa problemeve muskulore. Ai mungoi në fushën e blertë prej gushtit deri në gjysmë të shtatorit. Ai u kthye në fushë në ndeshjen kundër Sevillas, kur e shënoi golin e parë të sezonit, por u ndëshkua me të kuq.

Edhe sezoni debutues i Dembeles me Barcelonën ishte karakterizuar nga lëndime të shumta, të cilat ia pamundësonin francezit të luante për disa ndeshje radhazi në mënyrë që të përshtatet me skuadrën e tij të re në fushën e lojës.

(Kosova Sot Online)