Crvena Zvezda: Kishte urdhër që policia speciale e Kosovës t’i arrestonte anëtarët e klubit tonë

  • 09 October 2019 - 15:11
Crvena Zvezda: Kishte urdhër që policia speciale e Kosovës t’i arrestonte anëtarët e klubit tonë

Mediat serbe shkruajnë se sot kishte urdhër që njësia speciale e Policisë së Kosovës t’i arrestonte anëtarët e delegacionit të Crvena Zvezdës në rast se do të shfaqej ndonjë problem ndërkohë.

Mediat serbe vazhdojnë të shfaqin versione të ndryshme rreth asaj që ndodhi sot në pikën kufitare të Jarinjës.

Në fakt, Crvena Zvezda e kishte marrë rrugën drejt Kosovës për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj Trepçës serbe, por u pengua në kufi nga Policia e Kosovës, e cila nuk e la delegacionin serb të futej në territorin e Republikës së Kosovës.

Së bashku me ekipin serb kishte edhe qindra tifozë “Delije”, të cilët provokuan me thirrje dhe me këngë nacionaliste.

Ndërkohë, mediat serbe thonë se kanë informata që njësia speciale e Policisë së Kosovës kishte urdhër t’i arrestonte anëtarët e delegacionit të Crvena Zvezdës, në rast se do të shfaqej ndonjë problem eventual.

“Ne jemi të informuar se anëtarë e forcave speciale të Kosovës ishin në gatishmëri për të na arrestuar nëse do të merrnin urdhër”, ka shkruar klubi serb. 

(Kosova Sot Online)