Kosova U21: Vetëm Ballkani nga klubet kosovare përfaqësohet me dy lojtarë

  • 09 October 2019 - 15:23
Kosova U21: Vetëm Ballkani nga klubet kosovare përfaqësohet me dy lojtarë

Trajneri i Kombëtares U21 të Kosovës, Rafet Prekazi, e ka publikuar listën e lojtarëve të zgjedhur për ndeshjen e radhës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-21. Në listën e Prezakit, vetëm Ballkani nga klubet kosovare përfaqësohet me dy futbollistë.

Dominimin në këtë fillim të sezonit të ri të Ipko Superligës së Kosovës, duke u radhitur e para në tabelën e ligës elitare të futbollit në Kosovës, Ballkani e ka dëshmuar edhe me përfaqësues në Kosovën U-21.

Golashënuesi më i mirë në Ipko Superligën e Kosovës në këtë sezon të ri, Blend Baftiu, dhe ylli tjetër i skuadrës nga Suhareka, Arbër Hoxha, radhiten në kuadër të listës së futbollistëve që do të luajnë për Kosovën të martën.

“Arbëri ka qenë që një kohë të gjatë në listën e gjatë, por ka pasur mungesë të ndeshjeve, ndërsa tash në Ballkan është titullarë në shumë ndeshje dhe kjo është arsyeja pse i kam ftuar”, ka thënë Prekazi.

“E sa i përket Baftiut, unë mendoj që Baftiu që dy vjet, me formën vendimtare që e tregon, deshe apo s’deshe duhet ta marrësh në listë sepse ai e dëshmon veten në fushë”, shtoi Prekazi.

Më 15 tetor, Kosova U-21 udhëton në Shqipëri për përballjen me kuqezinjtë në “Elbasan Arena”, në kuadër të Grupit C të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Momentalisht, Kosova radhitet e dyta në Grupin C – me gjashtë pikë, baras me liderin Austrinë, të grumbulluara nga tri ndeshjet e para. Ndërsa, Shqipëria, radhitet e pesta me dy pikë të fituara nga katër ndeshjet e para.

(Kosova Sot Online)