Bale e pranon se po luan i zemëruar në Real Madrid

  • 10 October 2019 - 09:40
Bale e pranon se po luan i zemëruar në Real Madrid

Gareth Bale e ka pranuar se po luan me zemërim për shkak të pasigurisë për të ardhmen e tij në Real Madrid, edhe pse tani është me Kombëtaren e Uellsit për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian.

Zinedine Zidane i tha Gareth Bale-t se ai ishte i lirë të largohej nga klubi madrilen gjatë afatit kalimtar të verës. Mirëpo, ylli uellsian mbeti në Madrid dhe ka arritur ta gjejë një vend në skuadër.

Bale i ka shënuar dy gola dhe i ka asistuar dy të tjerë në këtë sezon të La Ligës, edhe pse ka pasur lajme se 30-vjeçari dëshiron të largohet nga kryeqyteti spanjoll në fund të këtij sezoni.

Duke folur para ndeshjes kualifikuese të së enjten kundër Sllovakisë, Bale insistoi se përkundër që po luan me shumë emocione, ai e ka mendjen e qartë.

“Unë luaj me shumë emocion. Natyrisht këtu hyn edhe zemërimi, por unë s’kam asgjë për të cilën do të duhesha ta qartësoja mendjen time”, ka thënë Bale.

“Unë tentoj ta jap më të mirën time si këtu e si në Real Madrid dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë”.

Trajneri i Uellsit, Ryan Giggs, beson se situata e Bale në Madrid është në një gjendje shumë më të mirë sesa që kishte qenë më parë dhe ai e pranon se është ende i habitur që Reali ishte i gatshëm ta lejojë largimin e tij.

“Mendoj se tani, duke e vëzhguar situatën nga jashtë, gjërat janë përmirësuar. Mënyra se si ai po luan – që është ashtu siç duan të gjithë futbollistët të luajnë – gjithmonë kam thënë se ai është në një klub fantastik”, tha Giggs.

“Nuk jam i befasuar që po luan mirë. Isha i befasuar me atë që ndodhi gjatë verës – mendoj se të gjithë që po e vëzhgonin situatën nga jashtë e cilësuan të çuditshme, por duket se gjithçka është qetësuar tani”.

Uellsi do ta zhvillojë ndeshjen e sotshme në Trnava në kuadër të Grupit E kualifikues për EURO 2020, ku djemtë e Giggsit radhiten të katërtit, katër pikë pas lideres Kroacisë dhe tre pikë prapa Sllovakisë në vend të dytë.

(Kosova Sot Online )