Ndeshja Holandë – Kosovë merr vëmendjen e mediave botërore

  • 10 October 2019 - 14:32
Ndeshja Holandë – Kosovë merr vëmendjen e mediave botërore

Barazimi i mbrëmshëm i Kosovës U-17 me kampionin në fuqi të Evropës për Kombëtaret U-17, Holandën, ka ngjallur interesim të madh te mediat botërore për shkak të statistikave interesante të ndeshjes.

Kosova U-17 arriti ta sigurojë një pikë të vlefshme për Grupin 12 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, duke e ndalur me barazim Holandën, përkundër që kjo e fundit e pati 90 për qind të posedimit të topit.

Pikërisht kjo statistikë e fundit ka bërë që ndeshja e mbrëmshme të marrë vëmendje më shumë, pasi që holandezët krijuan dukshëm më shumë raste dhe dominuan në posedim të topit, e megjithatë kosovarët arritën ta marrin një pikë.
 

Image

Skuadra holandeze, e drejtuar nga Mischa Visser, e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes pas vetëm 10 minutave lojë. Mesfushori i PSV Eindhoven, Mylian Jimenez, e mposhti portierin kosovar Riad Bytqi, për ta kaluar Holandën në epërsi 1:0 në Venray të Limburgut.

Njerëz si Xavi Simos i Paris Saint-Germainit dhe sulmuesi i Manchester Unitedit, Dillon Hoogewerf, ishin pjesë e skuadrës të Holandës. Dyshja i ndihmnoi “The Oranje” ta dominojë ndeshjes, mirëpo Kosova mbeti në lojë dhe në minutën e 69-të përfitoi nga një gabim dhe mesfushori Granit Hana shënoi gol nga një rivënie nga këndi.

Holanda i pati plot 21 goditje në këtë ndeshje në drejtim të portës, mirëpo vetëm njëra prej këtyre goditjeve shkoi në portë dhe Kosova doli nga stadiumi me një pikë të fituar.

Kosova tani do të përballet me Slloveninë në kuadër të kualifikimeve për Evropian, ndërsa Holanda do të luajë të shtunën kundër Uellsit. 

(Kosova Sot Online)