Vedat Muriqit ia mësyn edhe një klub tjetër nga Premierliga

  • 11 October 2019 - 17:18
Vedat Muriqit ia mësyn edhe një klub tjetër nga Premierliga

Pas Tottenhamit, sulmuesit kosovar Vedat Muriqi ia ka vënë syrin edhe klubi tjetër nga Premierliga, Bournemouth. Futbollisti prizrenas po shkëlqen në fanellën e Fenerbahçes dhe me Përfaqësuesen e Kosovës.

Vedat Muriqi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes sa i përket afatit kalimtar.

Në fakt, sulmuesi kosovar është bërë objektiv i klubeve të mëdha pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Fenerbahçen dhe Përfaqësuesen e Kosovës.

Forma e lartë e futbollistit prizrenas ishte arritur sezonin e kaluar teksa po luante tek Rizespori, me të cilin realizoi 14 gola dhe dhuroi 5 asistime në 30 ndeshje.

E këtë formë, ai e vazhdoi edhe tek gjiganti nga Stambolli, ndërsa me Kosovën i shënoi dy gola në muajin shtator, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.

Me këtë rast, 25 vjeçari ishte vëzhguar nga Tottenhami, por flitej se interesim për të kishte shfaqur edhe gjiganti tjetër anglez, Manchester United.

Mirëpo, mediat turke shkruajnë sot se interesim për sulmuesin shtatlartë ka shfaqur edhe klubi tjetër i Premierligës, Bournemouth. 

(Kosova Sot Online)