Foto nga stërvitja e sotme e Kosovës

  • 12 October 2019 - 16:35
Foto nga stërvitja e sotme e Kosovës

Ekipi kombëtar i Kosovës i vazhdoi sot përgatitjet për ndeshjen kundër Malit të Zi, që do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Trajneri Bernard Challandes i vëzhgoi të gjithë lojtarët e tij, të cilët u duartrokitën nga një grup i fëmijëve, të cilin ishin të pranishëm në “Fadil Vokrri” për ta ndjekur stërvitjen, kur po hynin në fushë.

Për dallim nga ditët e kaluara kur stërvitjet janë zhvilluar në orët e mbrëmjes, sot, trajneri zviceran ka preferuar orët e mesditës për ta kryer stërvitjen e radhës, në të cilën futbollistët krahas punës në aspektin fizik dhe disa skemave të lojës, u fokusuan edhe në harkime nga krahët si dhe ushtruan gjuajtjet standarde.

Edhe në këtë seancë stërvitore Challandes kërkoi nga futbollistët që kundër Malit të Zi të jenë sa më agresivë në sulm dhe të jenë sa më të përqendruar që të shfrytëzojnë në maksimum secilin rast që u jepet.

Ndërkohë, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët e presin me entuziazëm mbrëmjen e së hënës me bindje se do të arrijnë fitoren e radhës, e cila do t’i mbajë Dardanët në garë për kualifikim në Euro 2020.

Stërvitjen e fundit para ndeshjes Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë të dielën në orën 18:00, ku trajneri zviceran përfundimisht do të vendosë për lojtarët me të cilët do t’i kundërvihet Malit të Zi.

(Kosova Sot Online)