Ambasadori i Gjermanisë, pas fitores së Kosovës: S’mund t’i ndalësh këta djem

  • 15 tetor 2019 - 09:15
Ambasadori i Gjermanisë, pas fitores së Kosovës: S’mund t’i ndalësh këta djem

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, e shfaq gjithmonë gëzimin e tij pas fitoreve të “Dardanëve” në llogaritë e tij në rrjetet sociale dhe të njëjtën gjë e bëri edhe mbrëmë, pas fitores kundër Malit të Zi.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë për një dominim edhe më të madh të Kosovës. “Dardanët” i krijuan katër raste shumë të mira për të shënuar, përderisa malaziasit asnjë.

“Oooops, ata e bënë atë sërish. Kosova, 2:0 kundër Malit të Zi në kualifikimet për EURO 2020. Nuk mund t’i ndalësh, thjesht të mrekullueshëm, ata e meritojnë. I kënaqur që pash përfaqësues të lartë të Federatës së Futbollit të Gjermanisë në ndeshje, ata e njohin cilësinë”, shkroi Heldt.

FFK-ja nënshkroi të hënën në Prishtinë një marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Gjermanisë, ku përfshihet shkuarja e ekipeve kombëtare të grupmoshave të reja në kampet e Gjermanisë, si dhe edukimi i gjyqtarëve, trajnerëve dhe administratorëve të FFK-së.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti Agim Ademi dhe në emër të DFB-së nga presidenti i Federatës së Futbollit të Sachsenit, Hermann Winkler

(Kosova Sot Online )