Shqipëria pret sonte Kosovën, për 90 minuta harrohet miqësia

  • 15 tetor 2019 - 10:00
Shqipëria pret sonte Kosovën, për 90 minuta harrohet miqësia

Ekipi kombëtar U-21 i Shqipërisë do ta presë Kosovën sonte në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena, për ndeshjen e vlefshme për Grupin 3 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-21.

Për 90 minuta lojë, djemtë e Kosovës, të drejtuar nga Rafet Prekazi, do ta harrojnë miqësinë me Shqipërinë dhe do të luftojnë për t’i marrë tri pikët e ndeshjes, në mënyrë që të ngrihen në tabelën e Grupit 3.

Që të dyja Kombëtaret vijnë në këtë ndeshje pasi pësuan disfata në ndeshjet paraprake – Kosova me rezultat 2:0 si mysafire e Anglisë, ndërsa Shqipëria pas disfatës 4:0 në shtëpi kundër Austrisë.

Dardanët e rijnë renditen në pozitën e tretë në Grupin e tretë kualifikuese me gjashtë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara (dy fitore, një humbje), ndërsa Shqipëria ka vetëm 2 pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve të zhvilluara (dy humbje, dy barazime).

Dardanët e rinj nën udhëheqjen e përzgjedhësit Rafet Prekazi dhe ndihmësve të tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kanë stërvitur me intensitet të plotë në stadiumin e Feronikelit gjatë ditëve të fundit.

Kontingjentit të futbollistëve së fundi iu bashkuan edhe Lirim Kastrati dhe Arbenit Xhemajli, të cilët dje luajtën me Kombëtaren A në miqësoren kundër Gjibraltarit.

(Kosova Sot Online)